Statuti i ri i kompleksit Trepça duhet të krijojë zhvillim ekonomik
Prishtinë, 16 janar - Oda Ekonomike e Kosovës fuqimisht mbështetë procesin e ndryshimit të pronësisë së kompleksit Trepça, duke konsideruar si një hap të ri të zhvillimit të këtij kompleksi i cili në veti posedon rëndësi të dimensioneve të shumta, si në aspektin ekonomik, strategjik, politik, social dhe mbi të gjitha ndëretnik.
Sa sot Trepça i duhet Kosovës po ashtu Kosova i duhet Trepçës, sepse një kompleks i tillë dhe ndryshimet në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndërmarrje publike mund të jetë garancë e një të ardhme më të ndritshme, jo vetëm për Trepçën por për tërë Kosovën.
Jemi të mendimit se një statut i ri i kompleksit Trepça duhet të krijojë kreativitet për zhvillim ekonomik dhe jo peng të hipotekave të paargumentuara, të cilat për fat të keq mund të jenë pengesë e zhvillimit dhe avancimit inovativ në kompleksin Trepça.
Jemi të mendimit që krahas ligjit për ndërmarrje publike është e rëndësishme edhe krijimi i një bordi i cili në vete përmban profesionalizëm, apolitizëm, ndërkombëtarizim dhe mbi të gjitha multietnicitet si garancë e suksesit të implementimit të një strategjie e cila duhet të hartohet sa më shpejtë është e mundur në bazë të një studimi të fizibilitetit rreth kompleksit Trepça i cili është i një rëndësie të veçantë.
Është koha ku të gjithë së bashku duhet të jemi me Trepçën, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të garantojmë perspektivë dhe optimizëm për të gjithë, e në veçanti kthimin e mundshëm të investimeve dhe investitorëve, qoftë vendorë qoftë nga jashtë drejt Kosovës.