Standard & Poor`s zhvlerëson Italinë në A nga A+
Romë, 20 shtator - Pas SHBA-së Agjencia e vlerësimit të kreditimit, Standard & Poor`s zhvlerësoi edhe Italinë në A nga A+, me arsyetimin se rritja ekonomike e ngadaltë dhe pasiguria politike në Romë kanë ndikuar në stabilitetin financiar të vendit.
Në vendimin e marrë në orët e vona të së hënës, S&P thotë se zhvlerësimi i Italisë është pasojë e ekonomisë së dobët të vendit dhe paaftësisë së qeverisë për të zbatuar politikat e duhura monetare për të stabilizuar financat dhe borxhin publik. Këtu sipas S&P ka ndikuar edhe koalicioni i dobët qeverisës.
Zhvlerësimi ka ardhur megjithë planin e qeverisë së Berluskonit për reduktimin e borxhit brenda 2013-s dhe në një moment aspak të favorshëm për eurozonën, që në samitin e Polonisë kërkoi ndërmarrjen e masave shtrënguese shtesë për përmirësimin e bilancit për vendet me deficit.
Zhvlerësimi i Italisë, ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, pas Gjermanisë dhe Francës pritet të reflektohet në bursat botërore në ditët në vazhdim, ku sërish tërmetin parashikohet ta ndjejë Greqia e cila rrezikon falimentin.