Standard and Poor's uli nivelin e kredisë sovrane të Greqisë
Athinë, 30 korrik - Standard and Poor's (S&P) vijon të përkeqësojë aftësinë e Greqisë për të paguar borxhet. Herën e fundit, të mërkurën më 27 korrik, S&P, e uli nivelin e kredisë sovrane të Greqisë nga "CCC" në "CC" dhe perspektiva vlerësohet si "negative".
Agjencia mendon se paketa e re e ndihmës nga BE-ja për Greqinë ka mundësi të shkaktojë "mospagim selektiv", çka do të thotë se Greqia mund të zgjedhë shtyrjen e pagesave për disa kreditorë.
Dy ditë më parë, tjetër agjenci, Moody's, e uli nivelin e kredisë sovrane të Greqisë me tre shkallë, në Ca, vetëm një shkallë më lart se "mosplotësimi i detyrimit".
Në të tjera zhvillime, në raportin e 27 korrikut të Fondit Monetar Ndërkombëtar, thuhet se ekonomia franceze parashikohet të pësojë një rritje të ngadalshme, ndërsa i bëhet thirrje qeverisë të marrë masa dhe të vazhdojë pakësimin e deficitit publik në dy vitet e ardhshëm.