Stafi i FMN-së përmbyll vizitën në Kosovë
Prishtinë, 27 maj - Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, përfundoi vizitën e stafit në Kosovë në periudhën 10-13 dhe 20 maj, ku u diskutua mbi zhvillimet, perspektivën dhe politikat e fundit ekonomike.
Di Bella lëshoi ka thënë se lufta në Ukrainë paraqet tronditje të rëndë për Kosovën.
Përderisa kanalet e drejtpërdrejta tregtare dhe financiare me vendet në konflikt janë të papërfillshme, ndikimi i rritjes së çmimeve ndërkombëtare të ushqimit dhe energjisë në importet e Kosovës sipas tij mund të jetë deri në 5.5 për qind të BPV-së.
"Përderisa dinamika nga rimëkëmbja e vitit të kaluar është ende e fortë, tronditja do të ndikojë pashmangshëm në kërkesën dhe aktivitetin ekonomik në vitin 2022. Edhe pse pandemia dhe lufta përbëjnë sfida serioze, ato gjithashtu kanë nxitur interesimin e investitorëve për t’u zhvendosur në Evropë."
"Mbajtja e politikave të shëndosha makroekonomike dhe stabilitetit financiar, si dhe avancimi me zbatimin e reformave do të jenë thelbësore për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë”, ka theksuar Di Bella.
Ai vlerëson se inflacioni më i lartë, i cili si pasojë e rritjes së çmimeve të importit pritet të arrijë në më shumë se 10 për qind në vitin 2022, kërkon mbështetje të targetuar dhe të përkohshme për t’i dihmuar familjet e cenueshme."
"Autoritetet janë përgjigjur shpejtë me subvencione për inpute bujqësore, bonuse në paga dhe rritje të përkohshme të pensioneve dhe transfertave sociale."
"Në të njëjtën kohë, autoritetet janë përmbajtur nga shkurtimet tatimore nga të cilat, në mënyrë joproporcionale, përfitojnë personat në gjendje më të mirë ekonomike dhe janë të kushtueshme dhe të vështira për t’u rivendosur", ka shtuar Di Bella.
Rritja e tarifave të energjisë elektrike në muajin shkurt për të reflektuar faturën më të madhe të importit të energjisë elektrike, së bashku me zbatimin e subvencioneve të energjisë elektrike për rreth 20 për qind të ekonomive familjare, ishin gjithashtu sipas tij lëvizje të duhura të politikave.
Anulimi i rritjes së tarifës siç vlerëson ai do të çonte në deficit më të madh të llogarisë rrjedhëse dhe do të përbënte barrë serioze për buxhetin.
"Rishikimi i planifikuar i buxhetit për vitin 2022 duhet të përshkruajë se në çfarë mënyre programet mbështetëse janë duke arritur tek më të cenuarit, si dhe në çfarë mënyre është duke u ruajtur f unksionimi adekuat i zinxhirit të vlerës së energjisë elektrike karshi subvencioneve aktuale të energjisë elektrike.”
“Duke pasur parasysh uljen e madhe të vlerës reale të pagës minimale, stafi u pajtua me propozimin për rritjen e saj për rreth 50 për qind, dhe u pajtua me autoritetet për nevojën e shkëputjes së kësaj rritjeje dhe transfereve të tjera buxhetore me pagën minimale."
"Stafi i FMN-së shprehi kundërshtimin e f ortë për tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve private pensionale (TKPK) meqë këto do të përbënin goditje të rëndë në qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe do të reduktonin ndjeshëm vlerën reale të pensioneve të ardhshme", ka pohuar ai.
Gjithashtu, këto tërheqje sipas vlerësimit të tij do të përktheheshin në ngjeshje të madhe të tregjeve vendore të kapitalit, duke kompromentuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit.
Sektori bankar deri më tani i ka përballuar mirë tronditjet e fundit, i ndihmuar nga korniza e mirë rregullative. Rritja e fortë kreditore ka mbështetur aktivitetin ekonomik dhe normat e depozitave dhe të kreditimit të brendshëm kanë qenë përgjithësisht të qëndrueshme.
Megjithatë, Di Bella konsideron se kushtet më të shtrënguara financiare në Evropë mund të përkthehen në norma më të larta të interesit brenda në vend, duke krijuar cenueshmëri për sektorët që kanë shënuar zgjerim të shpejtë, përfshirë ndërtimtarinë.
Mbikëqyrja bankare duhet të vazhdojë të monitorojë me kujdes të shtuar cilësinë dhe likuiditetin e aseteve të bankave, duke siguruar që bankat ruajnë rezerva të mjaftueshme kapitali.
“Një bankë qendrore e pavarur, e përgjegjshme dhe plotësisht funksionale është jetik e për stabilitetin e sistemit financiar. Emërimi i dy anëtarëve të rinj të Bordit në dhjetorin e kaluar, duke rivendosur kështu kuorumin në bordin mbikëqyrës pas një viti e gjysmë, ishte hap i mirëpritur."
"Megjithatë, pozita e lirë e zëvendësguvernatorit duhet të plotësohet urgjentisht në mënyrë që të parandalohet çdo ndikim negativ në kapacitetin e BQK-së për të vepruar ose për të marrë vendime ekzekutive gjatë këtyre kohërave të vështira.”
“Dëshirojmë të falënderojmë autoritetet dhe homologët e tjerë për diskutimet dhe angazhimin e shkëlqyer dhe të përzemërt, përfshirë gjatë prezantimit të Perspektivës Ekonomike Rajonale të FMN-së për Evropën, në Prishtinë. E mirëpresim vazhdimin e dialogut në konsultimet të ardhshme në kuadër të Nenit IV për vitin 2022 në tetor", ka deklaruar në fund Di Bella.