Sqarohet qeveria për Rishikimin e Buxhetit
Prishtinë, 20 gusht - Qeveria e Republikës së Kosovës, me qëllim të informimit sa më të drejtë të opinionit publik lidhur me kërkesën e Qeverisë për anulimin e Amendamentit 10, të Ligjit për Buxhetin, drejtuar Kuvendit të Kosovës, sqaron se Vendimi Nr. 10/44, i datës 12 gusht 2015, nëpërmjet të cilit i është propozuar Kuvendit të anuloj Amendamentin 10 të aprovuar në Seancën Plenare me 16.07.2015 në leximin e dytë të Rishikimit të Buxhetit për vitin 2015, është marrë në pajtim me nenin 93 paragrafi 3, 4 dhe 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit nr. 05/L-001 për Buxhetin e Republikës sё Kosovës për vitin 2015 dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, si dhe në pajtim me Nenin 18 të Rregullores Nr. 09/2011 të Punës së Qeverisë.
Praktika të tilla të propozimit të Qeverisë për ndryshimin e Tabelave të Buxhetit, ka pasur edhe në të kaluarën, ku në pajtim me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, me vendime të Qeverisë është kërkuar aprovimi paraprak dhe të njëjtat janë aprovuar nga Kuvendi.
Vendime të ngjashme të Qeverisë të aprovuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në mes të tjerash janë edhe Vendimi nr. 01/01 i datës 23.02.2011, Vendimi nr. 07/168 i datës 29.01.2014, Vendimi nr. 10/141 i datës 26.07.2013, Vendimi nr. 06/12 i datës 05.02.2015, Vendimi nr. 12/32 i datës 03.06.2015, Vendimi 07/40 i datës 29.07.2015.
Qeveria e Republikës së Kosovës me Vendimin Nr. 10/44, të datës 12 gusht 2015, i ka propozuar Kuvendit që të merr në konsideratë anulimin e amendamentit nr.10 pasi që ka konstatuar se ky amendament nuk mund të zbatohet për arsye të mungesës së mjeteve të lira në projektet ekzistuese, për ridestinim në projektet e reja.
Vendimi i Qeverisë i propozon Kuvendit anulimin e Amendamentit nr.10 dhe ndryshimet e kërkuara kanë për qëllim rregullimin e tabelave të buxhetit, gjë që është plotësisht në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjin.