14 Maj 2024

Spanja redukton shpenzimet e qeverisë me 7.3 për qind

Madrid, 27 shtator - Spanja njoftoi një plan të detajuar me afate për reformat ekonomike dhe një buxhet të rreptë për vitin 2013, të bazuar kryesisht në uljen e shpenzimeve, në atë që shihet si një përpjekje për t’i paraprirë kushteve të mundshme të një pakete shpëtuese ndërkombëtare.

Buxhetet e ministrive u tkurrën me 8.9% për vitin e ardhshëm dhe pagat e sektorit publik u ngrinë për të tretin vit radhazi, teksa kryeministri Mariano Rajoy po lufton për të reduktuar një nga deficitet më të mëdha të eurozonës, ndërsa kosto e përfitimit nga papunësia rritet në periudhë recesioni.

“Ky është një buxhet që synon daljen nga kriza. Në këtë buxhet ka rregullime të mëdha të shpenzimeve dhe të ardhurave,” tha zëvendës kryeministrja Soraya Saenz de Santamaria në një konferencë për shtyp, pas një takimi maratonë prej gjashtë orësh të kabinetit.

I ndodhur nën presionin e protestave kundër masave të rrepta dhe kërcënimet për autonomi nga rajoni i pasur i Katalonjës, Rajoy po i reziston presionit të tregut dhe atij diplomatik për një shpëtim, pjesërisht për shkak të mos-humbjes së pavarësisë kombëtare, por edhe për faktin se Gjermania, donator kryesor në BE, ngul këmbë që Spanja nuk ka nevojë për ndihmë.

Qeveria konservative tha se të ardhurat nga taksat do të ishin më të larta sesa ishin buxhetuar fillimisht në 2012 – pjesërisht për shkak të një rritjeje në tatimin mbi vlerën e shtuar – dhe mund të zgjeroheshin me 3.8% vitin e ardhshëm, në raport me këtë vit.

Shpenzimet e qeverisë qendrore do të reduktohen me 7.3%, ndërsa të ardhurat mund të rriten me 4% në 2013-n. Buxhetet rajonale do të prezantohen në mënyrë individuale përgjatë vitit. Detaje më të hollësishme do të njoftohen në shtunën, kur propozimi të shkojë në parlament.

Spanja, ekonomia e katërt më e madhe e eurozonës, është tashmë në qendër të krizës së zonës euro. Investitorët kanë frikë se Madridi nuk mund të kontrollojë financat e veta dhe vënë në diskutim nëse Rajoy ka vullnetin politik për të ndërmarrë masat e nevojshme, por jo popullore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)