Spanja del nga recesioni
Ekonomia e Spanjës është tkurrur ose ka qëndruar në vend çdo vit që nga 2008-a, kur rënia e tregut të patundshmërive la miliona njerëz pa punë, shkaktoi një krizë të thellë në sektorin financiar dhe çoi mijëra kompanive në falimentim.
Spanja u bë vendi me njërin prej deficiteve më të lartë publikë të eurozonës dhe sektori i ndërtimeve u paralizua. Që nga ajo kohë, qeveria u detyrua të miratojë masa të ashpra shtrënguese dhe reforma strukturore në përpjekje për të pastruar financat e vendit dhe për t\'i rikthyer atij shëndetin ekonomik.
Kryeministri Mariano Rajoy e përshëndeti lajmin për daljen nga recesioni, por paralajmëroi se rimëkëmbja do të jetë \"e ngadaltë\".
\"Siç e dinë të gjithë, eksportet dhe turizmi janë sot për sot shtytja kryesore e ekonomisë spanjolle, e cila tashmë ka dalë nga recesioni, siç u konfirmua edhe nga Banka e Spanjës. Ekonomia po fillon tani ngadalë dhe gradualisht rimëkëmbjen e saj,\" tha kryeministri Rajoy.
Masat shtrënguese dhe reformat, të cilat bënë që Spanja të ishte pranë kërkimit të një pakete financiare shpëtimi, kanë filluar të japin fryte, të paktën për shumë biznese që kanë një prani jashtë vendit.
Ministri i Thesarit, Cristobal Montoro tha në parlament se fundi i recesionit është vetëm hapi i parë që Spanja ta marrë veten nga kriza ekonomike.
Cristobal Montoro, Ministër i Thesarit
\"Ky është hapi i parë në kapërcimin e krizës. Nëse ne vazhdojmë në këtë rrugë dhe nuk devijojmë nga përparësitë tona, do të gjejmë mënyrën për të dalë sa më shpejt nga kjo krizë, duke u kthyer te Spanja e punësimit, Spanja e rritjes ekonomike dhe e angazhuar ndaj projektit evropian,\" tha ministri spanjoll i Thesarit.
Por për disa njerëz, kjo nuk do të thotë se papunësia ka rënë.
\"Mendoj se është një gënjeshtër, vendi ka më shumë papunësi. Mendoj se gjendja është pak a shumë si më parë,\" thotë ky banor i Madridit.
Sipas një tjetër banori, megjithëse Spanja tani nuk është në recesion, kjo nuk u sjell shumë dobi njerëzve.
\"Teknikisht kemi dalë nga recesioni, por në realitet nga pikëpamja e qytetarit të thjeshtë, kjo ende nuk duket,\" thotë Cristobal, avokat në Madrid.
\"Duket se gjendja financiare është më e mirë, gjen kredi me interes të ulët, bilanci i pagesave është përmirësuar, pra të dhënat makro-ekonomike janë më mirë,\" thotë kjo grua.
Sipas parashikimeve të qeverisë, prodhimi ekonomik pritet të zgjerohet 0.7 përqind në vitin 2014 pas një tkurrjeje prej 1.3 përqind këtë vit.