Sot shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës
Prishtinë, 1 maj - Kosova si edhe mbar bota sot e shënon 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punës në nder dhe përkujtim të luftës historike të punëtorëve nga mbarë bota për avancimin e të drejtave të tyre.
Dita e Punës festohet në ditën e parë të majit në shenjë respekti ndaj viktimave nga greva që është mbajtur nga 1 deri më 4 maj të vitit 1886 në Çikago.
Qëllimi i demonstratave të 1 Majit në Çikago ka qenë vendosja tetë orë pune në ditë, por policia ka përdorur forcë dhe ka pasur viktima.
Organizatorët e grevës kanë dalë në gjyq, ndërsa katër prej tyre janë ekzekutuar. Tre vite pas ngjarjeve në Çikago, në Kongresin e parë të Internacionales së dytë që u mbajt në Paris në vitin 1989, është vendosur që çdo vit më 1 Maj, në përkujtim të punëtorëve të Çikagos të mbahen protesta masive,
1 Maji është një festë themeluar në kujtim të martirizimit në Sheshin "Haymarket" dhe për të përkujtuar dhe festuar Ditën e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve.
Historia e dhunës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1880, tregoi se punëdhënësit do të përdornin arsenalin e tyre, që nga gjykatat deri të policia. Ndërkohë që vrasjet në një nga sheshet kryesore të Çikagos, treguan se sa shumë ishte përkeqësuar situata. Por, përpjekjet e punëtorëve për orarin 8 orësh të punës në vitin 1880 treguan vendosmërinë e tyre.
Lëvizja nisi më 1884, kur Federata e Tregut të Organizuar dhe Bashkimi i Punëtorëve (paraardhëse e Federatës Amerikane të Punëtorëve) hartoi rezolutën se "duke nisur nga 1 Maji 1886 orari i punës për të gjithë punëtorët duhej të ishte 8 orësh".
Më 1 Maj të vitit 1886 mbi 200 000 punëtorë, të mbledhur në sheshin qendror të Çikagos, do të nisin grevat për të kërkuar të drejtat e tyre. Ndërkohë që gazetat do t'i vlerësonin ato si "absurde".
Vdekja e 7 policëve gjatë protestave, të nisura prej shumë ditësh, ishte shkaku i reagimit të Policisë së Çikagos ndaj lëvizjes së punëtorëve. Si pasojë e një bombe të hedhur nga forcat policore u vranë 8 udhëheqësit kryesorë të federatës së punëtorëve, duke e kthyer kështu Majin në muajin e përkujtimit të përpjekjeve të punëtorëve për të fituar të drejtat e tyre.
Tre vjet më vonë nga ngjarja e Çikagos, më 1889, Internacionalja e Dytë Socialiste, që u zhvillua në Paris (Francë), vendosi kremtimin e 1 Majit si ditën e bashkimit, luftës dhe solidaritetit të të gjithë punëtorëve të botës. Sot, pothuajse pas 122 vjetësh, 1 Maji festohet në mbarë botën si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve.