Sot rihapen bankat në Greqi
Athinë, 20 korrik - Bankat në Greqi do të rihapen ditën e sotme, tre javë pasi u mbyllën për shkak të krizës së borxhit kombëtar.
Sidoqoftë, kufizimi për tërheqejet ditore deri në 65 dollarë në ditë do të vazhdojë të jetë në fuqi, së bashkë me kufizimet për transferta të parave jashtë vendit.
Këto sinjale pozitive u shfaqën pak orë pasi parlamenti grek miratoi me vështirësi masat shtrënguese që u vendosën si kusht për marrëveshjen e shpëtimit financiar prej 96 miliardë dollarësh. Kjo është hera e tretë në pesë vjet që Greqia përfiton fonde shpëtimi financiar.
Marrëveshja që u arrit, e përçau koalicionin e partisë qeverisëse dhe kryeministri paralajmëroi se masat e ashpra do të shkaktojnë vuajtje të mëtejshme në popullatë, e cila tashmë po përjeton rënien më të madhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore.
Mundësia për rihapjen e bankave u krijua pasi Banka Qendrore Evropiane premtoi të enjten 974 milionë dollarë fonde të reja emergjence për Greqinë.
Negociatat formale për fondin e ri të shpëtimit deri në 96 miliardë dollarë, mund të fillojnë tashmë në disa parlamente evropiane, përfshirë parlamentin gjerman, i cili e miratoi në parim javën e kaluar. Proçesi i negocimit mund të zgjasë deri në disa javë.