Sot Kosova lidhet me SWIFT kod
Prishtinë, 9 dhjetor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se nga sot (e hënë) do të fillojë zyrtarisht lidhja e Kosovës me SWIFT kod.
SWIFT kodi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës do të jetë CBRKXKPR. BQK-ja ka bërë me dije se nga sot do të fillojë edhe përdorimi i kodeve të reja SWIFT të bankave të Kosovës që tashmë janë të lidhura drejtpërdrejt me SWIFT. ProCredit Bank - MBKOXKPR, Raiffeisen Bank - RBKOXKPR, TEB -TEBKXKPR, NLB Prishtina - NLPRXKPR dhe Turkiye IS Bankasi Kosova - ISBKXKPR.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka njoftuar se këto SWIFT kode i identifikojnë institucionet përkatëse si institucione të Republikës së Kosovës.
Nga 9 dhjetori 2013 vetëm kodet SWIFT të cekura mund të përdoren për identifikim të institucioneve përkatëse në sistemin e SWIFT-it, ka njoftuar BQK-ja, duke bërë me dije se është me rëndësi që palët që udhëtojnë jashtë Kosovës pagesat që bëjnë drejt llogarive të hapura në këto institucione duhet të jenë në përputhje të kodeve SWIFT.
Për një informim të këtillë, pos BQK-së dhe bankave të përmendura, është angazhuar edhe vetë SWIFT-i. Deri në fillim të vitit të ardhshëm është paraparë lidhja me SWIFT dhe e bankave komerciale të Kosovës që nuk kanë qenë të lidhura me SWIFT-in deri më tani, është thënë në njoftimin e BQK-së.
Gërxhaliu: SWIFT kodi përmirëson imazhin e Kosovës në botë
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEAK), Safet Gërxhaliu, lidhjen e Kosovës me SWIFT kod e ka cilësuar si hap të mirë, por të vonuar.
Ai ka thënë se ky kod ndërkombëtar është dashur ti jepet më herët Kosovës por, sipas tij, në këtë drejtim kanë ndikuar shkaqet politike.
SWIFT kodi për Kosovën ka disa elemente të rëndësishme, ekonomike strategjike dhe një ndër to është edhe përmirësimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ka thënë Gërxhaliu.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se do të përfitojë komuniteti i biznesit në vend, pasi do të ulet kostoja e transfereve të parave.
Më e rëndësishmja është se SWIFT kodi do të krijojë një imazh më të mirë për Kosovën, pasi do të na lidhë me institucionet ndërkombëtare, ka theksuar Gërxhaliu.
Po sipas tij, edhe mërgimtarët tanë do të jenë përfitues, pasi deri tani ata kanë qenë të obliguar të bëjnë transfere ndërmjet bankave ndërmjetësuese.
Zeka: SWIFT kodi ul kostot e transfereve ndërkombëtare
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka deklaruar se me lidhjen e Kosovës me SWIFT kod sistemi financiar në vend do të ketë më shumë benefite.
SWIFT kodi për bizneset kosovare nënkupton kohë më të shpejtë të ekzekutimit të pagesave ndërkombëtare dhe kjo është një gjë pozitive, ka thënë ai. Zeka ka thënë se më transferet nuk do të kalojnë nëpërmjet bankave ndërmjetësuese.
SWIFT kodi duhet të reflektojë edhe në ulje të kostos së kryerjes së pagesave ndërkombëtare, është shprehur Zeka.
Balija: Hap i rëndësishëm për bankat
Edhe Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) ka njoftuar se do të fillojë implementimi i SWIFT kodit të Kosovës në sistemet e bankave komerciale në Kosovë.
Kjo është mundësuar falë angazhimit të të gjitha institucioneve relevante në këtë proces si Banka Qendrore e Kosovës dhe Shoqata e Bankave të Kosovës, ka njoftuar SHBK-ja.
Implementimi i SWIFT kodit të Kosovës nga bankat komerciale do tu mundësojë lehtësira diasporës shqiptare dhe qytetarëve rezidentë të Kosovës pasi tani transferet dhe transaksionet e tjera ndërkombëtare do të bëhen më lehtë ngase bankat komerciale do të jenë të pajisura me SWIFT kod të Kosovës.
Drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka deklaruar se ky është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën pasi tani e tutje bankat komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare do të identifikohen me kod të veçantë.
Me implementimin e këtij kodi do të mundësohet një efikasitet tek bankat komerciale në Kosovë duke e rritur efikasitetin e transferove, njëkohësisht do ta ulë koston e pagesës së transfereve ndërkombëtare, ka thënë Balija.
SWIFT u themelua në vitin 1973
Shoqata për Telekomunikim Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror (SWIFT) është krijuar në vitin 1973 në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel. Parim kryesor e ka lehtësimin e transaksioneve financiare ndërkombëtare duke krijuar një rrjet të gjerë ku institucionet financiare do të mund të pranojnë dhe të dërgojnë informacione të ndërlidhura me transaksionet financiare në një mjedis të sigurt.
(Epoka e re)