Sot fillon Forumi Ekonomik Botëror në Davos
Ndërsa politikanët dhe udhëheqësit e biznesit nga e gjithë bota mblidhen në Alpet zvicerane këtë javë, drejtori menaxhues i Forumit Ekonomik Botëror tha se diskutimet do të dominohen nga revolucioni i katërt industrial, kriza e tanishme e refugjatëve dhe shkaqet e saj.
"Takimi vjetor i këtij viti ka tri shtylla kryesore. E para është natyrisht revolucioni i katërt industrial. Kjo do të thotë ndërthurja e industrisë klasike nga njëra anë dhe asaj dixhitale nga ana tjetër. Shtylla e dytë është ajo humanitare, si të zgjidhen situatat në terren, kohezioni social dhe si të ndihmojmë refugjatët në një nivel global. Shtylla e tretë është çështja e shkaqeve. Cilat janë arsyet për refugjatët dhe sfidat diplomatike."
Philipp Roesler, ish ministër i ekonomisë në Gjermani tha se delegatët në panelin e diskutimeve do të përballen me pyetje gjeopolitike, çështje diplomatike dhe politike në Lindjen e Mesme si dhe në Azinë Lindore.
"Ne po përpiqemi të kombinojmë sektorin publik, politikën dhe ekonominë që të punojnë së bashku për të arritur një rritje të përgjithshme. Kjo do të luajë një rol të rëndësishëm këtë vit, për shembull në projektet individuale që adresojnë çështjen sesi të përfshihet më mirë brezi i ri në zhvillimet teknologjike dhe vendet e punës."
Mes figurave kryesore në Davos do të jenë, nënpresidenti amerikan Joe Biden, Sekretari i Shtetit John Kerry, kyreministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrat e jashtëm të Iranit dhe Arabisë Saudite.
Si moto për mbledhjet e sivjetme është përcaktuar Revolucioni i 4-t Industrial duke marrë shkas nga zhvillimet si inovacioni në teknologjinë e robotëve, automobilat pa drejtues dhe printerat tredimensionalë.
Për katër ditë me radhë zemra e ekonomisë do të rrahë në Davos, ku do të marrin pjesë 2 mijë e 500 vetë nga më shumë se 100 vende, në mesin e të cilëve bëjnë pjesë Ndihmëpresidenti amerikan Joe Biden, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, Kryeministri britanik David Cameron, Kryeministri i Izraelit Beniamin Netanjahu, Kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras, Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau, Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Alijev, Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut Mustafa Akıncı, Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit Xhevad Zarif, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.
Krahas liderëve nga bota e politikës dhe biznesit në samit prite të marrin pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, dijetarë, përfaqësues fetarë, të cilët gjatë mbledhjeve dhe paneleve të ndryshme parashikohet të realizojnë edhe takime dypalëshe.
Forumi Ekonomik Botëror i kishte dërguar ftesë edhe Koresë së Veriut për të marrë pjesë në Davos, por e kishte tërhequr pas qarkullimit të pretendimeve për provat e bombës me hidrogjen.