Soros heq dorë nga menaxhimi i Fondit të tij
New York, 27 korrik - Njëri nga investitorët më të njohur në botë, George Sorros, thotë se ka në plan ti japë fund menaxhimit të parave të investitorëve të tjerë në fondin e tij Quantum dhe tu kthejë rreth 1 miliardë dollarë investitorëve.
Soros, i cili mbush në gusht 81 vjeç, u tha investitorëve të fondit të tij prej 25 miliardë dollarësh, se ka në plan të menaxhojë vetë pasuritë familjare dhe se do tua kthejë paratë të tjerëve.
Dy nënpresidentët e fondit, djemtë e zotit Soros, Xhonathan dhe Robert, thanë se ky veprim po ndërmerret për të shmangur rregullatorë të tjerë financiarë në Shtetet e Bashkuara, që do ta detyronin fondin të regjistrohej në Komisionin e Letrave me Vlerë deri marsin e ardhshëm, në se vazhdonte të menaxhonte investitorët e jashtëm.
Gjatë viteve, Soros u transformua nga një spekulator në tregun e aksioneve, i cili fitoi 1 miliardë dollarë, në njërin nga filantropistët më të mëdhenj të botës.
Ai ka dhuruar mbi 8 miliardë dollarë për të nxitur demokracinë dhe lirinë e shprehjes, si dhe për përmirësimin e arsimimit dhe luftën kundër varfërisë në mbarë botën.