Sllovenia mbështet Kosovën në implementimin e reformës së TVSH-së
Lubljanë, 6 shkurt - Ministri i Financave Bedri Hamza gjendet për vizitë zyrtare në Republikën e Sllovenisë, ku është pritur në takim nga ministrja e Financave të Republikës së Sllovenisë Mateja Vraničar Erman, ku diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë për bashkëpunimin ndërministror.
Ministri Hamza e njoftoi homologen e tij sllovene znj. Vraničar Erman për progresin dhe të arriturat në të gjitha fushat në Kosovë, në veçanti fushën e financave si dhe për reformat fiskale që janë ndërmarrë kohëve të fundit nga Ministria e Financave për të mbështetur sektorin privat, si bartës i zhvillimit ekonomik në vend.
Me këtë rast, ministri Hamza kërkoi mbështetjen e Ministrisë së Financave të Sllovenisë në përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe administrative, teknologjisë informative, për fillimin e reformës më të madhe në Kosovë deri më tani, e që është bartja e mbledhjes së TVSH-së nga kufiri në brendi të vendit.
Ndërsa, Ministrja e Financave të Republikës së Sllovenisë Mateja Vraničar Erman, duke falënderuar Ministrin për vizitën vlerësoi lartë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, dhe bëri të ditur se Kosova dhe Sllovenia, nuk kanë ndonjë temë të hapur në fushën e financave.
Ajo gjithashtu shprehi gatishmërinë e Ministrisë së Financave të Sllovenisë për të mbështetur Kosovën , në implementimin sa më të mirë të reformës së TVSH-së, të cilën reformë Sllovenia e ka filluar së implementuari nga qershori i vitit 2016.
Sipas saj, kjo reformë shkon në të mirë të bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. “Andaj, duke e ditur rëndësinë e kësaj reforme, Ministria e Financave e Sllovenisë do të ju mbështes”, bëri të ditur ministrja znj. Vraničar Erman.
Të dyja palët u pajtuan gjithashtu për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, në veçanti në anëtarësimin e institucioneve tona financiare në organizata të ndryshme ndërkombëtare financiare.