Sllovenët humbin betejën për pasaportat

Prishtinë, 9 prill - Gjykata e tenderëve i ka dhënë të hënën dritën e gjelbër kompanisë gjermane Giesecke& Devrient(G&D) në tenderin për prodhimin e pasaportave biometrike, pavarësisht ankesës të kompanisë sllovene Cetis që ka qenë më e lirë për rreth 150 mijë euro.
Ministria e Punëve të Brendshme, e cila udhëhiqet nga Bajram Rexhepi, muaj më parë ka shpallur fitues të këtij tenderi kompaninë gjermane (G&D) që ka konkurruar me një çmim prej 6 milionë e 631 mijë e 896 euro, ndërsa është eliminuar kompania sllovene pavarësisht se kishte ofertuar me një çmim prej 6 milionë e 492 mijë e 319 euro.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka refuzuar dje ankesën e operatorit ekonomik \"CETIS DD\"- Slloveni, lidhur me procedurën e prokurimit me titull \"Fumizim me pasaporta elektronike\", ndërsa ka aprovuar si të bazuar vendimin e Autoritetit Kontraktues, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), për dhënie të kontratës.
OSHP pas pranimit të ankesës, ka autorizuar ekspertin shqyrtues për të shqyrtuar procedurën e zhvilluar lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, si dhe vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të palës ankimore.
Eksperti shqyrtues ka konstatuar se autoriteti kontraktues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit ka përcaktuar si kriter për dhënie të kontratës tenderin ekonomikisht më të favorshëm, ndërsa si nënkritere të poentimit i ka paraparë: çmimin prej 90 % të poenave, ndërsa afati i dorëzimit të sasisë së parë prej: 10 000 copë pasaporta elektronike dhe aktivizimit të sistemit për personalizimin ështe paraparë ti ketë 10 % të poenave, shkruan Zëri.
Eksperti shqyrtues, duke u bazuar në raportin e vlerësimit të komisionit vlerësues të AK-së, ka konstatuar se OE i rekomanduar për kontratë i ka fituar 88.11 poena në kuadër të çmimit, ndërsa 10 poena në kuadër të nënkriterit të dytë, lidhur me afatin e furnizimit me pasaporta elektronike, që në total i ka marrë 98.11 pikë, kurse OE ankues i ka fituar 90 pikë për nënkriterin e parë lidhur me çmimin, kurse 3.33 pikë për nënkriterin e dytë lidhur me furnizimin e pasaportave, që në total ka fituar 93.33 pikë.
Eksperti shqyrtues njëkohësisht ka konstatuar se poentimi është bërë në mënyrë të rregullt, duke u bazuar në formulën e paraparë në dosje të tenderit dhe ka konsideruar se këtë përllogaritje mund të bëjë shumë thjesht secili që është i interesuar.
Lidhur me pretendimin e OE ankues, se MPB ka shkelur nenin 57.1, 57.2, 57.4, përkitazi me vlerësimin e tenderit, eksperti shqyrtues ka konstatuar se neni 57 i LPP-së Nr. 04/L-042, rregullon çështjen e sigurimit të tenderit, ndërsa neni 59 i LPP-së rregullon ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve, për të cilin aktivitet janë cekur me lart faktet relevante se është bërë konform dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik.
Lidhur me pretendimin e OE ankues, se OE i rekomanduar për kontratë, ka ofruar datën e dorëzimit të pasaportave prej momentit të dizajnimit të broshurës, e jo prej momentit të nënshkrimit të kontratës dhe si e tillë duhet të shpallet e papërgjegjshme, eksperti shqyrtues ka sqaruar se afati për dizajnim në dosje të tenderit është shumë i qartë, ku thuhet se dizajnimi i pasaportave duhet të bëhet 15 ditë pas nënshkrimit të kontratës, ndërsa OE i rekomanduar për kontratë ka ofruar afatin për furnizim prej 15 ditëve, pas dizajnimit, çka do të thotë se nuk është në kundërshtim me kërkesat e parapara në dosjen e tenderit.
Në fund të raportit të tij, eksperti shqyrtues ka konstatuar se AK-së, në përgjithësi i ka respektuar procedurat e prokurimit, prandaj ka rekomanduar panelin shqyrtues, që të aprovohet vendimi i AK-së, për dhënie të kontratës, dhe njëkohësisht ka rekomanduar që të refuzohet ankesa e OE ankues si e pabazuar.
Sllovenët kundërshtojnë ekspertin shqyrtues
Kompania \"CETIS DD\"-Slloveni, në parashtresën e dt: 02.04.2013 ka deklaruar se nuk pajtohet me mendimin dhe rekomandimin e ekspertit shqyrtues të dhënë në raportin e tij të datës: 25.03.2013. Gjatë seancës së shqyrtimit kryesor të datës: 04.04.2013, në të cilën ishin prezent anëtarët e panelit shqyrtues, eksperti shqyrtues, përfaqësuesi i OE ankues, përfaqësuesi i AK-së, u shqyrtuan shkresat e lëndës duke e bërë kontrollimin dhe analizimin e dokumentacionit për procedurën e prokurimit.
Gjatë prezantimit të provave në seancën dëgjimore të dt: 28.03.2013, përfaqësuesi i OE ankues deklaroi: pika kryesore e ankesës është se data e liferimit të OE fitues, nuk ka qenë e ofruar sipas kërkesës së përgatitur në dosje të tenderit. Kompania fituese e ka ofruar datën e liferimit prej 15 ditëve, pas dizajnimit të pasaportave.
Këto dy periudha nuk mund të krahasohen, pasi ne kemi ofruar datën e liferimit 90 ditë pas nënshkrimit të kontratës, ashtu siç është kërkuar në dosje të tenderit, ka thënë përfaqësuesi i kompanisë sllovene.