Skenderaj, 90 mijë euro për karburant dhe 29 mijë euro dreka
Prishtinë, 18 mars - Instituti GAP publikon raportin e 22 me radhë lidhur me performancën e Komunave të Kosovës, raporte të cilat mbulojnë qeverisjen në periudhën janar 2010 dhjetor 2012.
Ky raport mbulon zhvillimet trevjeçare në qeverisjen e Komunës së Skenderajt.
Komuna e Skenderajt ndonëse ka borxhin më të lartë publik në krahasim me komunat e tjera, nuk po i ul shpenzimet.
Në raportin e GAP-i, të publikuar të hënën, thuhet se kjo komunë ka shënuar edhe rënie të të hyrave me të përgjysmë më pak gjatë vitit 20012 se sa në atë 2011.
Derisa në vitin e kaluar administrata e udhëhequr nga Sami Lushtaku ka mbledhur 572.000 euro, një vit më herët shuma e të hyrave komunale ka qenë mbi 1.2 milionë euro apo rreth 52 për qind më shumë.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 90.000 euro janë shpenzuar në vitin 2012 për karburant për vetura, 26.000 në telefona fiks dhe mobil, ndërsa mbi 29.000 euro në dreka dhe darka zyrtare.
Në përgjithësi në tri vitet e fundit (2010-2012) Komuna e Skenderajt për dreka dhe darka ka shpenzuar 110.306 euro, për telefoni mobile 39.355 euro, për telefoni fikse 39.082 euro, karburant për vetura 237.104 euro, naftë për ngrohje 143.797 euro, blerje të druve dhe thëngjillit për ngrohje 258.596 euro, karburant për gjenerator mbi 21.000 euro, ndërsa për riparim dhe mirëmbajtje të veturave zyrtare janë shpenzuar 56.971 euro.
Komuna e Skenderajt në tri vitet e fundit ka përmirësuar në mënyrë esenciale infrastrukturën e rrugëve, por mbeten të pamjaftueshme investimet në rrjetin e ujësjellësit dhe atë të kanalizimit. Edhe për kundër rritjes së shkallës së investimeve publike në këtë komunë, shkalla e varfërisë vlerësohet e lartë.
Rreth 20% e popullatës së përgjithshme të Skenderajt janë në asistencë sociale.
Komuna e Skenderajt ka përfaqësim tejet të vogël të femrave në pozitat publike. Përveç që asnjë drejtori nga nëntë gjithsej, nuk udhëhiqen nga femrat, numri i femrave të punësuara në dikasteret e komunës del të jetë tejet i vogël. Kësisoj, nga 208 të punësuar si shërbyes civil, vetëm 38 prej tyre janë femra (apo vetëm 18.2%). Numri i femrave të punësuara është tejet i vogël edhe në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor të kësaj komune shkruan Indeksonline.
Në këtë raport, i cili mbulon zhvillimet rreth politikave publike në Komunën e Skenderajt për periudhën janar 2010 dhjetor 2012, Instituti GAP ka përmendur problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët, ka analizuar performancën buxhetore, investimet kapitale, aktivitetet e prokurimit publik, gjendjen në administratë, arsim dhe shëndetësi, transparencën e Komunës, si dhe ka matur realizueshmërinë e premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore të 2009.