Skandali i Amortizatorëve çon edhe tre zyrtarë të AKP-së në Prokurori
Prishtinë, 13 korrik - "Në kallëzimin penal që kemi bërë më herët kundrejt tashmë të ndjerit Dino Hasanaj dhe Shkëlzen Llukës, kemi nënkuptuar hetime për tërë bordin që ka votuar. Faktikisht dëmet ai bord na i ka sjellë neve dhe shtetit. Por, nuk mund t'i ikë përgjegjësisë Naser Osmani, ngase ai ka qenë në pozitë të lartë në cilësinë e zëvendëskryetarit të bordit të AKP-së, nuk mund të ikë nga përgjegjësia Bahri Shabani dhe Haxhi Arifi, që kanë qenë anëtarë të bordit. Kot e ka Naser Osmani, që mendon se nuk është bërë me emër kallëzimi penal ndaj tij. Të gjithë anëtarët e bordit janë në kallëzimin penal", është shprehur kryesindikalisti Enver Morina.
Gjatë mandatit 2008-2010 të Qeverisë 'Thaçi 1', kur Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave në atë kohë e udhëhiqte Ahmet Shala, ndërsa MTI-në Lutfi Zharku, janë bërë pazaret për privatizimin e Fabrikës së Amortizatorëve.
Risjellim në vëmendje se paraprakisht loja kriminale filloi me fabrikën e çimentos në Han të Elezit, e cila u shit pa tender, por vetëm me një negocim njëburimor me një vlerë prej 30 milionë euro një kompanie greke.
\"Shitja e fabrikës \'SHARRCEM\' është bërë në kohë jo të duhur, në momentin kur në Kosovë mbaheshin zgjedhjet parlamentare për formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, është bërë pa tender, ku ishte eliminuar konkurrenca që nuk ka qenë dukuri normale në Kosovë, si dhe nuk janë marrë për bazë as kërkesat e punëtorëve e as ato të institucioneve komunale, që punojnë në interesin e qytetarëve të komunës\", thuhej në reagimin e Komunës së Hanit të Elezit të datës 15 dhjetor 2010.
Më pas e njëjta rrugë është ndjekur dhe me shitjen e Fabrikës së Amortizatorëve, duke eliminuar kundërligjshëm konkurrencën, pa tender dhe vetëm me një ofertues dhe duke mos marrë parasysh kërkesat e punëtorëve. Këta të fundit, bëjnë përgjegjës, për këtë krim siç thonë ata, Qeverinë \'Thaçi 1dhe 2\', por edhe Qeverinë aktuale, pasi zyrtarët e implikuar në këtë veprim të kundërligjshëm me qëllim zhvatjeje të aseteve vitale të shtetit vazhdojnë të jenë ende edhe sot në detyrë e pozita të larta shtetërore.
/Kosova Sot/