16 Janar 2025

Skandalet që e tronditën Kosovën

Prishtinë, 30 dhjetor - E veçanta e skandaleve të këtij viti është përfshirja e politikanëve të nivelit të lartë. Gjatë vitit 2012, Kosova ka pasur në sektorin e ekonomisë disa zhvillime tronditëse. Zyrtarët e lartë kosovarë u përfshinë në shumë afera korruptive me dyshime për krime ekonomike
Afera e hotelit “Grand”

Skandali i hotelit “Grand” mund të llogaritet si top-skandali i vitit 2012. Ky skandal nxori në pah përfshirjen në afera korruptive të zyrtarëve të lartë qeveritarë, si zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë “Thaçi 2”, Behgjet Pacolli.

Ky i fundit me pretendime se kishte aksione në hotelin “Grand” ishte munduar disa herë të arrijë marrëveshje me blerësin legjitim Zelqif Berisha, por pas shumë shtyrjeve nga AKP-ja, blerësit iu tërhoqën aksionet.

Përfolja e milionave në rastin e hotelit “Grand”, ku implikohen Astrit Haraqija, zëvendësministër i Financave, i shoqëruar me Ukë Rugovën, djalin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, deputeti Naser Osmani, apo biznesmenë si Gazmend Abrashi e Burim Gashi, u pasqyrua gjerësisht në media, që publikuan edhe mesazhet telefonike, në të cilat Haraqija i kërkon Pacollit 3,6 milionë euro për t’ia kryer rastin. Por, më skandaloze u cilësua fakti se Pacolli nuk e kishte denoncuar kërkesën për mitë.

Memorandumi me Nigerinë

Pacolli e nënshkroi një memorandum të mirëkuptimit me Qeverinë e Imos, që një ndërmarrje private të ndërtojë centrale elektrike e bujqësore në Nigeri. Centrali do të prodhojë 500 megavat elektricitet dhe do të sigurojë furnizimin e pandërprerë për shtëpitë e bizneset e Imos.

Marrëveshja ishte cilësuar absurde, sepse përcakton se Qeveria e Kosovës do të garantojë ato investime. Zyrtarët qeveritarë, megjithatë, e mbrojtën veprimin dhe njoftuan se një delegacion do ta vizitojë Nigerinë në mes të majit, nën patronazhin e Ministrisë së Tregtisë, Dhomës së Tregtisë e komunitetit të biznesit për ta shqyrtuar më tej bashkëpunimin ekonomik për ta ulur papunësinë e përhapur të Kosovës.

Qerimi i dyfishtë

Do të mbahet në mend edhe skandali i drejtorit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi. Prej se është emëruar në postin e drejtorit të PTK-së ai nuk dha dorëheqje nga posti i anëtarit të Bordit të Trustit.

Me gjithë vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion që Ejupi duhet të japë dorëheqje nga njëra pozitë, rasti kishte përfunduar në Gjykatën për Kundërvajtje.

Për të shpëtuar nga vendimi i gjykatës, kryeshefi i PTK-së, i akuzuar për konflikt interesi, dyshohet se i ka premtuar gjyqtares që e kishte rastin “ngritje në detyrë” për vëllanë e saj në PTK. Si ndërmjetës shërbeu vajza e vëllait të kryetares së Gjykatës Komunale të Prishtinës, Makifete Saliuka, Eneida Saliuka, që punon në PTK.

 “Avullimi” i 1.4 milion eurove të MPB-së

Nuk është e rastësishme që në “top-listën” e skandaleve gjendet e para Ministria e Punëve të Brendshme. MPB-ja ka kryesuar gjatë vitit 2012 me skandale prej më të ndryshmeve, ndërsa, pa asnjë dyshim, “avullimi” i 1.4 milion eurove të cilat do të duhej të përfundonin në xhirollogarinë e kompanisë austriake, OeSD, dhe të cilave u është ndryshuar destinacioni, përbën kryeskandalin e vitit.

Por, ky nuk është skandali i vetëm i dikasterit të punëve të brendshme. Gjatë vitit është raportuar se në këtë dikaster falsifikohen nënshtetësitë e datëlindjet, madje edhe ato të gjyqtarëve, se keqpërdoren paratë e kompanive ndërkombëtare që fitojnë tenderë të ndryshëm, siç është rasti i kompanisë sllovene KIG. Edhe Policia e Kosovës, që është dikaster nën ombrellën e MPB-së, është përfshirë nga skandalet, ndërsa vjedhja e arit në Pejë është ndër më të mëdhenjtë në forcën e rendit të Kosovës.

Skandali i përgjimeve

Qytetarët e Kosovës janë “shokuar” kur kanë dëgjuar fjalorin dhe shprehjet e kryeministrit Hashim Thaçi, dhe zyrtarëve të tjerë të PDK-së, si Adem Grabovci, Vlora Çitaku, Sami Lushtaku dhe Kadri Veseli teksa flasin ndërmjet vete.

Nga skandali i përgjimeve ka dalë në shesh se sa e përçarë është Partia Demokratike e Kosovës, si urrehet sekretari i kësaj partie, Jakup Krasniqi, nga kryetari i partisë, Hashim Thaçi, dhe si ka drojë Thaçi që të shkojë në Malishevë, ngase, siç pati thënë ai, “zagarët e Malishevës mund t’ia gjigavin”.

Vetëm pak kohë pas publikimit të pjesëve tonike në kanalin “youtube.com”, pati reaguar Qeveria e Kosovës, e cila pati thënë se incizimet janë falso, por pak kohë më pas EULEX-i pati thënë të kundërtën, pra se ai i ka bërë përgjimet.

 

/Kosova Sot/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)