Ska presion nga Qeveria ndaj Doganës
Prishtinë, 17 nëntor - Drejtori i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, ka mohuar zërat që në Doganën e Kosovës ka presion qeveritar për mbushjen e arkës së shtetit nga ana e bizneseve, si dhe ka mohuar që Dogana është duke bërë presion mbi biznese.
Në intervistën për Epokën e re, Rafuna ka thënë se askush nga Qeveria dhe Ministria e Financave nuk ka thirrur për të bërë presion për grumbullimin e të hyrave në Doganë.
Qeveria dhe Ministria e Financave asnjëherë skanë thirrur në Doganë të thonë bëje këtë apo atë. Kompetencat janë të rregulluara në baza ligjore dhe nuk ka presion mbi bizneset, ka thënë Rafuna. Ai ka potencuar se nuk do të lejojë që në njërën anë bizneset të kenë borxh në Doganë, kurse në anën tjetër të ushtrojnë veprimtari biznesore.
Nuk është ligjore dhe e moralshme të kesh borxh deri 300 mijë euro në Doganë, në anën tjetër të ushtrosh veprimtari biznesore. Për mua si menaxher kjo është e patolerueshme. Ligji kërkon në çdo moment se borxhi duhet inkasuar, pasi taksat janë para të publikut. Unë nuk e gëzoj të drejtën ta kreditoj një importues dhe ti them mos e paguaj borxhin dhe vazhdo puno. Për këtë arsye janë bankat. Në qoftë se biznesi ska mundësi ta paguajë borxhin në Doganë, mund të marrë kredi, pasi është sistem i ndërtuar dhe i rregulluar në baza ligjore, është shprehur Rafuna.
Drejtori Rafuna ka bërë me dije se, krahas vitit të kaluar, ky institucion ka arritur të grumbullojë të hyra për 4 për qind apo 30 milionë euro më shumë se vitin e kaluar, edhe përkundër krizës politike dhe rënies prej 6 për qind të sasisë së mallit.
Më tej Rafuna ka thënë se falë ngritjes së efikasitetit të stafit doganor dhe bashkëpunimit me Policinë e Kosovës dhe me qytetarët është arritur të zvogëlohet kontrabanda.
Në pjesën veriore zakonisht tentohet të kontrabandohen mallra të cilat kanë akcizë, siç janë vajrat, alkooli dhe cigaret. Mirëpo, falë një bashkëpunimi dhe koordinimi që kemi me Policinë e Kosovë dhe Administratën Tatimore, kemi arritur ti ndalim shumë raste dhe ti mbyllim shumë vrima të kontrabandës. Kemi indikacione shumë të mira që tregojnë se ka rënë kontrabanda në veri, ka deklaruar Rafuna.