S'ka marrëveshje për rindërtimin e shtëpive në Kroin e Vitakut
Mitrovicë, 20 maj - Kryetarët e dy komunave të Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe Goran Rakiq dhe Adrijana Hoxhiq, ish shefe e Zyrës Administrative në veri, kanë takuar sërish përfaqësuesit shqiptarë dhe serbë të Lagjes veriore Kroi i Vitakut, me të cilët kanë biseduar rreth procesit të rindërtimeve në lagje, përkatësisht për përgjigjen që duhej dhënë nga pala serbe për fillimin e rindërtimit të shtëpive shqiptare në këtë lagje.
Gjatë takimeve të ndara, serbët që kishin kërkuar afatin kohor deri më sot, për të dhënë pëlqimin për lejimin e shqiptarëve që të rindërtojnë shtëpitë e tyre të djegura gjatë luftës në lagje, thanë se parimisht janë për kthimin e shqiptarëve në lagje.
Por, sipas tyre, ky kthim duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, duke paraqitur së pari listat e kryefamiljarëve, për të verifikuar se a kanë jetuar ata më parë këtu.
Madje ata nxorën dhe ia dhanë kryetarit Bahtiri një listë të banorëve shqiptarë të lagjes Kroi i Vitakut, që edhe para lufte kanë jetuar aty.
Në këtë listë ishin edhe emrat e të gjithë pronarëve shqiptarë, shtëpitë e të cilëve është parapa që të rindërtohen në këtë fazë.
Serbët, thanë po ashtu, se i pranojnë si të tyre institucionet e Kosovës, andaj edhe pajtohen që të presin formimin e grupit ndërministror për kthimin e shqiptarëve në veri dhe serbëve në jug të qytetit.
Në grup, përveç përfaqësuesve të ministrive, do të përfshihen edhe kryetarët e dyja komunave dhe përfaqësuesit e dy komuniteteve të lagjes.
Kryetari Bahtiri ju th serbëve se kanë pas obligim që deri më 20 maj, ti konsultojnë bashkëqytetarët e lagjes dhe të japin mendimin e tyre lidhur me procesin e rindërtimit të shtëpive shqiptare në këtë lagje.
Ai tha se shqiptarët e kanë të drejtën e tyre legjitime për të rindërtuar shtëpitë e tyre dhe këtë nuk mund të ua ndaloj askush, andaj edhe kërkoi nga serbët që të mos bëjnë pengesa në këtë drejtim.
Edhe kryetari Rakiq, tha se problemet duhet të zgjidhen në qetësi dhe pa tensione. Çdo kush ka të drejtë të kthehet në pronën e tij, por në këtë moment është mirë që kjo të bëhet me pëlqimin e të gjitha palëve, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet përfundimisht, pasi që duhet të jetohet në fqinjësi të mirë.
Kontribut, që u vlerësua nga të pranishmit, në këtë drejtim dha edhe zonja Adrijana Hoxhiq.
Pronarët e shtëpive shqiptare që duhet të rindërtohen, për të cilat mjete janë të siguruara, thanë se janë lodhur duke pritur e duke jetuar në kushte të rënda, madje duke paguar qira edhe deri në 20.00 euro për një familje deri tash.
Ata në vazhdim shtuan se serbët vetëm po duan të blejnë kohë dhe se shqiptarët nuk kanë pse të presin dhe pse të kërkojnë nga dikush tjetër që të rindërtojnë shtëpitë e tyre, duke shtuar se nuk ju intereson më kurr`farë grupi ministror dhe se ata nesër do të nisen për në trojet e tyre për të vazhduar punimet.
Mirëpo, pas ndërhyrjes së dy përfaqësuesve shqiptarë të lagjes, kryetarëve Bahtiri e Rakiq dhe zonjës Hoxhiq, shqiptarët vendosën që të enjten të mbajnë një takim me banorët shqiptarë të lagjes për të marrë një vendim të prerë se si do të veprohet.
Në këtë takim do të marrin pjesë edhe kryetarët Bahtiri e Rakiq, zonja Hoxhiq dhe ministri për kthim dhe komunitete.