29 Prill 2024

S'ka kthim prapa për mallrat serbe dhe ato të BeH

Prishtinë, 25 korrik - Ka vazhduar reciprociteti ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka deklaruar se doganat po e respektojnë vendimin e Qeverisë për të mos lejuar hyrjen e mallrave nga Serbia.

“Asnjë kamion nuk jemi duke lejuar të futet nga Serbia në Kosovë. Jemi në kontakt me institucionet e tjera që të respektohet ky vendim”, ka bërë me dije ai. Ndërsa sa iu përket dy pikave, 1 dhe 31, ai ka thënë se të gjitha udhëzimet që kanë të bëjnë me vendimin e Qeverisë i janë dorëzuar EULEX-it.

Me gjithë paralajmërimet se mund të ketë shtim të importit të mallrave me origjinë nga Serbia nga shtetet e tjera të rajonit, zëdhënësi Stavileci ka bërë me dije se deri të dielën nuk ka pasur fluks të kamionëve. “Deri të dielën nuk kemi pasur shtim të importimit të mallrave me origjinë nga Serbia, qoftë nga Maqedonia apo Mali i Zi”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, njëherësh edhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, është shprehur e vendosur për zbatimin e vendimit të reciprocitetit për mallrat serbe dhe taksën prej 10-përqindësh për ato të Bosnjës. Gjatë një vizite në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit dhe pikës kufitare në Merdar, Kusari Lila, e shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka kërkuar që kamionët e ndalur në zonën neutrale 5, në pjesën e Kosovës dhe 3, në atë të Serbisë, të kthehen mbrapsht nga kanë ardhur. Të vetmin “lehtësim” që ua ka ofruar shoferëve të kamionëve ka qenë, të hyjnë në territorin e Kosovës për të bërë një rrethrrotullim afër kufirit dhe të kthehen për në Serbi.

Me bllokimin e mallrave serbe do të përfitojë edhe Shqipëria

Njohësi i mirë i çështjeve ekonomike, profesor Bedri Selmani, ka deklaruar për gazetën se me krijimin e rrethanave të reja, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, fluksi në pikat doganore me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi do të rritet. “Pas këtij vendimi do të ketë rritje të këmbimeve tregtare me vendet e tjera të rajonit dhe botës. Doganat kanë kapacitete të mjaftueshme për të pritur këtë fluks. Dilema rreth kësaj se çfarë do të ndodhë nuk ka, dhe se nuk do të ketë problem në tregun e mallrave në Kosovë”, ka deklaruar Selmani.


Sipas tij, bashkëpunimi ekonomik i Kosovës me disa nga vendet e rajonit ende mbetet modest dhe se duhet punuar më shumë që të ketë rritje të shkëmbimit të mallrave. “Është e domosdoshme të ketë rritje të bashkëpunimit rajonal në aspektin ekonomik, pasi ky kriter duhet të përmbushet nga të gjitha vendet, të cilat synojnë të jenë anëtare të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.


Kurse sa i përket këmbimit tregtar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, profesor Selmani ka thënë se ai është në favor të Shqipërisë. “Shqipëria në Kosovë eksporton rreth 35 milionë euro mallra dhe shërbime, kurse prodhuesit kosovarë eksportojnë rreth 13 milionë euro”, është shprehur Selmani. Sipas tij, politika tregtare duhet të fokusohet në ngritjen e kapaciteteve konkurruese në tregun e brendshëm, si dhe në promovimin e eksportit.

Industrialistët shqiptarë pro vendimit të Kosovës

Industrialistët e mëdhenj vendës mbështesin vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndalimin e hyrjes së prodhimeve me certifikatën e origjinës serbe në tregun kosovar.


Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, “Alb Konfindustria” vlerëson se vendimi i Qeverisë së Kosovës është i drejtë dhe në përputhje të plotë me marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë së lire. Gjithashtu, këto biznese gjykojnë se vendimi është i vonuar në kushtet kur asnjë prodhim me vulën e Kosovës nuk lejohet prej vitesh të hyjë në tregun e Serbisë, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për Kosovën. “Kjo dëshmon për shkelje nga ana e Serbisë, të marrëveshjes CEFTA ndërmjet vendeve të Ballkanit”.


“Alb Konfindustria” vlerëson se vendimi i mësipërm i Qeverisë së Kosovës është rast i mirë që duhet shfrytëzuar për rritjen e kapaciteteve industriale të Kosovës dhe Shqipërisë, me qëllim - plotësimin e boshllëkut tregtar të krijuar.



Mali i Zi shpreson për rritjen e shkëmbimit tregtar me Kosovën

Podgoricë, 24 korrik - Vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e mallrave serbe, Mali i Zi e sheh si një shans dhe favor për rritjen e shkëmbimit tregtar me Kosovën.

Ndihmësministri i Ekonomisë i Malit të Zi, Goran Shqepanoviq, ka vlerësuar se biznesi i Malit të Zi mund të fitojë terren në Kosovë dhe t’'i favorizojë disa prodhime të vetat. Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008 dhe dy shtetet kanë marrëdhënie të mira fqinjësore.(Epoka e Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)