S'ka bisedime për pasuritë e Kosovës
Prishtinë, 13 maj - Që të jetë temë bisede mes Kosovës dhe Serbisë, Trepça, thëngjilli, liqeni i Ujmanit, pronat publike, zonat përreth kishave ortodokse apo përfaqësimi i serbëve në organet qendrore të Kosovës, sipas qeverisë së Kosovës janë thjesht kapriço dhe listë dëshirash nga ana e palës serbe.
Beogradi është i interesuar që të bisedojë me Prishtinën në kuadër të negociatave të Brukselit pikërisht për këto tema shkruan Tribuna.
Bekim Çollaku, këshilltar i lartë politik i kryeministrit Hashim Thaçi, ka thënë se idetë e Beogradit për të biseduar me palën kosovare për resurset natyrore të Kosovës janë të parealizuara.
Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka ndërmend dhe nuk do të pranojë asnjëherë që të bisedojë për listë të dëshirave të cilat i ka Qeveria e Serbisë, të cilat kanë të bëjnë me pasuritë shtetërore të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ka thënë Çollaku.