Sistemi privat të ndihmojë në vendimet e arbitrazhit dhe ndërmjetësimit
Prishtinë, 21 mars - \"Gjykatat do të mbesin partnerë të sistemit të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit, duke qenë në të njëjtën kohë përkrahës të tyre dhe duke ushtruar kompetencat mbikëqyrëse kur është e nevojshme\", ky konkluzion doli nga punëtoria e organizuar nga Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me qëllim të diskutimit të kushteve ligjore për përmbarimin e vendimeve të arbitrazhit dhe funksionin e përmbaruesve privat si një mekanizëm i ri për përmbarim të shpejtë dhe efikas.
Në hapje të punëtorisë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, duke vlerësuar pozitivisht krijimin e sistemit privat të përmbarimit, tha se është e rëndësishme që të kuptohet që në fillim se cilat janë procedurat për përmbarimin e vendimeve të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit nga përmes përmbaruesve privatë.
Ai më tej shprehu pritjen e tij për funksionalizimin më të shpejtë të sistemit të përmbaruesve privatë.
Eksperti ligjor i Programit të USAID për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial dhe sekretari gjeneral i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ardi Shita tha se ndihet krenar për themelimin e një sistemi i cili ka hasur në përkrahje të vazhdueshme si nga Oda Amerikane ashtu edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Ai më tej shtoi se sistemi i ndërmjetësimit dhe arbitrazhit, i kombinuar me sistemin privat do të jetë një zgjidhje e mirë për bizneset për të zgjidhur kontestet e tyre sa më shpejtë dhe mbi të gjitha do ti kenë përmbaruesit privatë për të ekzekutuar ato vendime të arbitrazhit apo marrëveshjet e arritura me ndërmjetësim.
Fadil Hoxha, përmbarues privat dhe ish-gjyqtar përmbarues, shprehu shqetësimin lidhur me sistemin e përmbarimeve të cilin e konsideron të neglizhuar sa i përket kushteve që u ofrohen gjyqtarëve përmbarues apo zyrtarëve të përmbarimeve.
Hoxha informoi të pranishmit që së bashku me pesëmbëdhjetë përmbarues të ri janë të trajnuar nga USAID dhe Ministria e Drejtësisë dhe beson se në bashkëpunim me komunitetin e biznesit do të arrijnë të ekzekutojnë vendimet në mënyrë sa më të suksesshme.
Mahir Tutuli, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dha një shpjegim të shkurtër mbi mënyrën e zgjidhjes së kontesteve përmes arbitrazhit dhe ndërmjetësimit, duke e vlerësuar si një mënyrë të përshpejtuar dhe më efikase të zgjidhjes së kontesteve. Ai konfirmoi përkrahjen e gjykatës ndaj sistemit të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit. Ndër të tjera ai sqaroi se gjykata do të respektojë standardet ligjore në lidhje me ndërhyrjen e gjykatave në sistemin e arbitrazhit dhe ndërmjetësimit.
Pikëpamje lidhur me funksionimin e sistemi të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit në kuadër të Odës Ekonomike Amerikane, dhe ndërveprimit me gjykata dhe përmbarues privat u dhanë edhe nga Kujtim Kerveshi, Specialist Ligjor i Programit të USAID për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial dhe Visar Ramaj, Sekretar Gjeneral i Qendrës ZAK.
Kjo punëtori është mundësuar me përkrahjen e USAID në kuadër të iniciativës USAID Forward për ngritjen e kapaciteteve të Qendrës ZAK për të ofruar shërbime profesionale të arbitrazhit.