Sistemi Bonus Malus e rrit kulturën në komunikacion
Prishtinë, 8 shkurt - Rregullorja mbi zbatimin e sistemit Bonus-Malus në Kosovë është duke u zbatuar që nga 1 korriku i vitit 2013. Zyrtarët e Bankës Qendrore dhe të Byrosë Kosovare të Sigurimeve vlerësojnë se ky sistem mund të ndikojë në disiplinimin e drejtuesve të automjeteve.
Sistemi mirëpritet edhe nga këta të fundit, të cilët presin të përfitojnë.
Shoferët e të gjitha kategorive të automjeteve në Kosovë, mund të përfitojnë por edhe të ndëshkohen, si rezultat i zbatimit të sistemit të Bonus-Malusit. Rregullorja e miratuar nga Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi implementimin e sistemit Bonus-Malus në Kosovë, është duke u zbatuar nga 1 korriku i vitit 2013. Shoferët e mirëpresin zbatimin e saj. Arian Grantolli nga Prishtina, thotë se rregullorja do të ndikojë në stimulimin e drejtuesve të automjeteve.
Nuk jam në dijeni për këtë rregullore që ka hyrë në fuqi, por mua personalisht ideja po më pëlqen, normal që ndikon në vetëdijesimin e shoferëve dhe është njëfarë stimulimi që iu bëhet vozitësve në Kosovë, thotë Arian Grantolli.
Guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza, thotë se ky sistem është një e mirë që ka ndodhur në vitin 2013, që do të ketë ndikim tek të gjithë policë-mbajtësit.
Është mirë për të gjithë ata policë-mbajtës që janë të disiplinuar, që nuk shkaktojnë aksidente në komunikacion dhe që do të jenë të stimuluar, ndërsa ata që bëjnë probleme, sigurisht që do të paguajnë më shumë, thotë Hamza.
Bonus-Malus është sistem i cili zbatohet si korrektues i lartësisë së primit të sigurimit të auto-përgjegjësisë, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit, thotë Suad Sadullahu, drejtor i qendrës informative në Byronë Kosovare të Sigurimit.
Qëllimi i sistemit Bonus-Malus është që ti vetëdijesojmë të gjithë shoferët në rrugë që të kenë kujdes gjatë vozitjes, ku të gjithë ata që shkaktojnë dëme në komunikacion mund të ndëshkohen me një shkallë pak më të lartë të pagesës së primit të sigurimit, ndërsa nëse janë të kujdesshëm ata përfiotojnë nga ajo, thotë ai.
Sadullahu sqaron se në vitin e parë të sigurimit, të siguruarit paguajnë 100 për qind të premisë, kurse pas një viti, në rast se nuk ka shkaktuar dëme, përfiton 10 për qind, kurse gjatë viteve vijuese edhe nga 5 për qind, pra deri në 50 për qind. Nëse brenda vitit i siguruari ka shkaktuar një aksident, atëherë shkallët e Malusit e rrisin për tri shkallë, pra duhet të paguajë 135 për qind.
E në rast se i njëjti ka shkaktuar dy aksidente, duhet të paguajë 200 për qind, kurse tri e më shumë, sigurimi arrin deri në 250 për qind. Ndryshe, në Kosovë janë rreth 300 mijë automjete të siguruara, dhe ende nuk ka të dhëna se sa persona kanë përfituar apo janë ndëshkuar nga zbatimi i këtij sistemi.