Sipas ligjit edhe ndalja e ndërtimeve pa leje edhe rrënimeve
Prishtinë, 14 janar - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me Liburn Aliun, Drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, si dhe Xhelal Sveçlën, Drejtorin e Drejtorisë së Inspeksionit, të hënën, më 14 janar, mbajtën konferencë për media lidhur me ndërtimet në Prishtinë dhe veprimet që do ti ndërmarrim nga fundi i kësaj jave.
Ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje ka kaluar tashmë në Kuvendin e Kosovës. Më 25 gusht të vitit 2013 është bërë fotografimi ortografik i Kosovës, dhe të gjitha objektet që janë përfunduara para kësaj date i nënshtrohen procesit të legalizimit.
Liburn Aliu, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, tha se drejtoria me të cilën ai udhëheq, ka shumë probleme.
Tash jemi në fazën e tranzicionit, ku drejtoria duhet të punojë me ligjet e reja. Jemi në pritje të udhëzimeve administrative që kanë të bëjnë me legalizimin e objekteve pa leje dhe planifikimin hapësinor, tha Aliu. Si sfidë tjetër ai tha se procedura e trajtimit të lëndëve duhet të rregullohet, në mënyrë që palët të marrin përgjigje sa më shpejtë që është e mundur.
Ne e kemi të domosdoshme zyrën e pranimit, që do ti informojë qytetarët për lëndët, dhe tu kthejë përgjigje brenda 30 ditëve., theksoi ai.
Më tej, Aliu foli edhe për numrin e madh të lëndëve të grumbulluara, që do të trajtohen nga një grup i veçantë brenda drejtorisë, si dhe për nevojën e domosdoshme të riorganizimit dhe rregullimit të arkivit, në mënyrë që qasja në dokumentet zyrtare të jetë sa më e lehtë dhe sa më e shpejtë. Ai tha se gjatë këtij viti e kemi të domosdoshëm skanimin e gjendjes në terren, që ta dimë se çfarë po ndodh çdo cep të qytetit.
Xhelal Sveçla, drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, tha se inspektorati është në fazën e vlerësimit të situatës në të cilin ndodhet qyteti i Prishtinës, sa i përket ndërtimeve. Ai tha se gjatë këtij vakuumi institucional, ndërtimtarë të papërgjegjshëm kanë bërë shumë ndërtime pa leje duke e shkelur kështu ligjin. Kemi filluar që ti bëjmë ndaljet e para. Në shumicën e punishteve ku nuk ka leje ndërtimi, ndërtimet janë ndalur. Me këtë vendosmëri ne do të vazhdojmë, duke mos e lejuar asnjë ndërtim pa leje.
Ne në të njëjtën kohë po bëjmë edhe planifikimin për rrënime, për ato raste ku ka tejkalime të lejeve dhe shkelje të vazhdueshme të procedurave e ligjeve në fuqi, tha Sveçla, duke shtuar se të gjitha gabimet e bëra deri tani, kërkojnë kohë që të rishikohen.
Ai falënderoi qytetarët që në vazhdimësi na ndihmojnë duke lajmëruar raste të ndryshme të shkeljeve, ndihmesë kjo që përkundër mungesës së theksuar të stafit në Drejtorinë e Inspeksionit, po bënë që kjo drejtori ta ketë një pasqyrë të qartë me atë çka po ndodh në kryeqytet.