Sindikata kërkon hetim për abuzimin me punësimet në BQK
Duke pasur në konsideratë rolin dhe rëndësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), si dhe për të mbrojtur reputacionin dhe kredibilitetin e saj si dhe interesat e punëtoreve të saj, Sindikata e Punëtorëve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës kërkon nga të gjitha organet kompetente që të merren me pretendimet e sinjalizuesit dhe të sqarohen të gjitha çështjet e ngritura sa më shpejtë.
Gjithashtu, Sindikata e Punëtorëve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i inkurajon të gjithë anëtaret sindikatës që të raportojnë të gjitha parregullsitë e vërejtura pa u frikësuar, sepse janë të mbrojtur nga Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.
Një letër publike ka pranuar sot drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit Yll Buleshkaj, lidhur me abuzimet dhe keqpërdorimet në Bankën Qendrore të Kosovës.
Në këtë letër thuhet se abuzime dhe shkelje ligjore janë bërë dhe janë duke u bërë në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës nga Guvernatori Fehmi Mehmeti, Zëvendësguvernatori Sokol Havolli dhe njerëzit e afërt të tyre që për mbi katër vite janë duke abuzuar me pasurinë e BQK-së për përfitime e tyre personale.
“Gjatë kësaj periudhe kohore kur Fehmi Mehmeti ka menaxhuar me BQK ka punësuar mbi 70 veta personel të lidhur politikisht me partitë në pushtet (PDK-LDK-AAK-Nisma). Gjithsejt nga këta 70 veta, 30 fillimisht kanë filluar punën me kontratat mbi vepër pastaj ju është shpallur konkursi i rregullt dhe janë pranuar me kontrata të rregullta pune. Ne realizimin e punësimeve Guvernatori është asistuar nga Zëvendësguvernatori Sokol Havolli (i cili në shumicën e rasteve ka qenë njësia kërkuese per punësime) dhe nga Drejtoresha e Burimeve Njerëzore Albulenë Zogu Demaku e cila eshte gruaja e ish kryetarit të Skenderajit të PDK-së Nexhat Demaku dhe e cila është ngritur jashtëligjshëm në katër pozita brenda periudhes 30 ditëshe bazuar në skemen e graditimit të BQK-se. Tutje, Guvernatori asisitohet nga Bujar Meka, sekretar i Bordit të BQK-së dhe nga Arberie Buçaj, drejtoreshë e Departamentit Juridik të cilët i përgadisin dhe konfirmojnë ligjërisht të gjitha këto vendime të Guvernatorit Mehmeti dhe Zevendeguvernatorit Havollit dhe të cilët njëkohohësisht shërbejnë edhe si anëtar të komisioneve displinore”, thuhet në këtë letër.