Sindikata e Lotarisë proteston për miratimin e ligjit për Lotarinë
Prishtinë, 16 dhjetor - Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës ka njoftuar të gjithë punëtorët e Lotarisë së do të protestojnë sot para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesën për miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës.
"Gjithashtu paralajmërojmë se do të vazhdohet me protesta gjatë ditëve të punës deri në përmbushjen e kërkesës së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës", thekson sindikata..
Qeveria e Republikës së Kosovës i ka premtuar Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës se do të gjejë një zgjidhje për punëtorët tanë mirëpo një premtim i tillë ende nuk është përmbushur.
"Punëtorët tanë momentalisht gjenden në një situatë të mjerueshme përderisa u bë një vit që s’kanë pranuar pagë, e sidomos në përballjen me luftimin e Pandemisë Covid-19 që edhe më tepër e ka rënduar gjendjen e tyre", deklaron sindikata..
Sindikata e Lotarisë së Kosovës fton të gjitha mediat të jenë të pranishme, gjithashtu i bën thirrje publike Qeverisë së Kosovës që të përmbush premtimin dhe obligimin që e ka ndaj punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.