Sigurimi i stabilitetit në sektorin financiar prioritet i BQK-së
Prishtinë, 29 qershor - Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Myzejene Selmani, kryetare, në mbledhjen e sotme diskutoi për Politikat bankare dhe ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në takim ishte i pranishëm edhe Guvernatori i Bankës Qendrore (BQK), Hashim Rexhepi, i cili dha një pasqyrë mbi veprimtarinë e BQK-së dhe ndikimin e politikave bankare, si shumë të nevojshme për ekonominë kosovare.
Sa është aktuale, aq është e rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës ndërtimi i mëtutjeshëm i sektorit financiar të Kosovës, tha në fillim të fjalës së tij Guvernatori Rexhepi.
Në vazhdim, Rexhepi bëri një përshkrim të gjerë aktiviteteve që ka bërë BQK-ja, duke përshkruar objektivat, të arriturat dhe sfidat e BQK-së. Në lidhje me këtë, ai shtoi se objektivat kryesore të BQK-së janë: sigurimi i stabilitetit në sektorin financiar dhe mbështetja e politikave të përgjithshme ekonomike në vend.
Për të realizuar objektivat e veta, BQK-ja përmes ushtrimit të funksionit të sajë bënë: rregullimin e institucioneve financiare, licencimin e institucioneve financiare, mbikëqyrjen e institucioneve financiare, mirëmban llogaritë e thesarit dhe institucioneve tjera të Qeverisë, dhe bënë administrimin ndër bankar të pagesave, u shpreh Guvernatori Rexhepi.
Duke iu referuar të arriturave të BQK-së, ai përmendi faktin se, në vitin 2009 është shënuar rritje ekonomike prej 3.8%, përkundër krizës globale që është shënuar në shumë vende të botës. Ndërkaq, ndër sfidat që guvernatori vuri në pah ishin: mungesa e instrumenteve tradicionale të politikës monetare (që buron nga adaptimi i euros si valutë zyrtare), nevoja e rishikimit të ligjit për BQK-në dhe ligji për AKP-në, çështja e CEFTA-s dhe mungesa e kodit bankar për Kosovën.
Anëtarët e komisionit ngritën një varg çështjesh. Në veçanti shprehën shqetësimin e tyre për kamatat e larta kreditore që ushtrohet në Kosovë dhe Trustin Pensional.
Në fund të mbledhjes, komisioni vendosi që të formojë një grup punues i cili do të bëjë rekomandime, të cilat së bashku me raportin e BQK-së (i cili do të shqyrtohet në Komisionin për Buxhet dhe Financa) të diskutohen edhe në Kuvend.