Siguria pengon bizneset nga diaspora të investojnë në Kosovë
Prishtinë, 2 qershor - Ministri i Diasporës, Valon Murati ka thënë se ministria që ai drejton është në rrugë të mbarë për krijimin e një klime të shëndoshë partneriteti midis institucioneve të vendit dhe bizneseve të diasporës shqiptare.
Ai ka bërë me dije për Epokën e re se bizneset nga diaspora kanë vullnet dhe dëshirë për të investuar në Kosovë, mirëpo problem po del të jetë mungesa e sigurisë së investimeve.
Mbetet në ne, në institucionet e Kosovës, të punojmë bashkërisht për të krijuar një ambient sa më të favorshëm për investim, është shprehur ai.
Ministri ka folur edhe për procesin e regjistrimit të diasporës. Ai ka thënë se regjistrimi aktiv përfundon në dhjetor të vitit 2016, ndërsa ai pasiv zgjat edhe për një vit.
Kurse, sipas tij, rezultatet e para preliminare pritet të dalin në fillim të vitit 2017.