SIDA suedeze ndan 5 milionë euro tatimin në pronë dhe toka
Prishtinë, 13 maj - Ministri i Financave Besim Beqaj vlerësoi lartë kontributin e SIDA-së suedeze për zhvillimin e projektit për ngritjen e sistemeve të tatimit në pronë dhe tatimit në toka.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes mbi grantin prej 5 milionë eurove, i cili do të ndihmoj komunat e Kosovës për të vazhduar procesin e filluar më herët për përmirësimin e tatimit në pronë dhe për të vazhduar me tatimin në toka, ministri Beqaj vlerësoi se projekti i realizuar në periudhën 2008 -2012 për ngritjen e tatimit në pronë ishte i suksesshëm.
Dua të falënderoj Qeverinë Suedeze, SIDA-n dhe taksapaguesit suedez për kontributin e dhënë deri më tani. Sot kemi një databazë prej 600 mijë pronash të regjistruara dhe një sistem i cili është duke funksionuar. Është konsideruar që për stabilitet të mëtutjeshëm të komunave duhet të vazhdohet me tatimin në toka, tha i pari i Ministrisë së Financave .
Ai vlerësoi se kontributi i sotëm mundëson që komunat tona të kenë të hyra më shumë, të kemi sistem të unifikuar nëpër komunat tona anekënd Kosovës, të kemi mundësi dhe fleksibilitet më të madh për investime lokale dhe infrastrukturore nëpër komuna.
Synimi i jonë është që të krijojmë decentralizim të plotë të shërbimeve, shërbime sa më afër qytetarëve, sa më cilësore dhe stabilitet sa më të madh fiskal komunal. Edhe një herë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe komunave e falënderojë Qeverinë Suedeze dhe SIDA-n për kontributin e dhënë nga taksapaguesit i cili është kontribut jashtëzakonisht i çmueshëm .
Henrik Nilsson, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë tha se Qeveria e vendit të tij është shumë e lumtur që të vazhdojë bashkëpunimin dhe kontributin në sistemin e tatimit në pronë për zhvillimin e komunave të Kosovës.
Siç e përmendi edhe Ministri kjo është faza e dytë e projektit. Ne jemi të lumtur shumë që projekti nga 2008 deri në 2012 ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka dhënë rezultate shumë të mira. Dhe tani në katër vitet e ardhshme edhe komponenta e tatimit në tokë do të përfshihet në sistemin e tatimit në pronë. Ne natyrisht shpresojmë që kjo do të kontribuojë në faktin që komunat ta konsiderojnë tatimin në pronë si një prej burimeve kryesore të të hyrave të tyre, tha zoti Nilson.
Ai theksoi se ky kontribut prej 5 milionë eurove është një prej angazhimeve më të mëdha në planin tonë afatgjatë që e kemi për shtetin e Kosovës.