Shumica e grekëve duan të shmangin daljen nga Eurozona
Athinë, 10 mars - Shumica e grekëve duan që Athina të arrijë një kompromis me huadhënësit ndërkombëtarë për të shmangur daljen nga Eurozona.
Ky është rezultati i një ankete të fundit, në prag të një takimi të sotëm të ministrave evropianë të financave për të diskutuar paketën e reformave propozuar nga qeveria greke. Ndërkohë kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo do që Greqia të qëndrojë në Eurozonë.
Rezultatet e anketës dolën sot para takimit të ministrave të financave në Bruksel për të diskutuar reformat e propozuara nga Greqia javën e kaluar në përpjekje për të bindur partnerët evropianë për të autorizuar më shumë fonde dhe për të parandaluar falimentimin e bankave.
Kreu i grupit të ministrave të financave të Eurozonës ka thënë se plani i reformave ishte i vlefshëm por duhet të analizohet nga kreditorët e vendit.
Rreth 69.6 për qind të grekëve thonë se qeveria e re majtiste e vendit duhet të përpiqet për një kompromis të denjë për zgjidhjen e krizës, sipas një ankete të gazetës Efimerida Ton Syntakton.
Të pyetur nëse mendonin se Greqia do të falimentonte, 50.4 për qind e të anketuarve thanë po ndërsa 45.5 për qind thanë ky rrezik nuk ekziston.
Dhe mbështetja për Syrizën vazhdon të jetë e fortë. Vetëm 27.4 për qind të të anketuarve donin që Greqia të refuzonte kompromisin, edhe nëse kjo do të nënkuptonte daljen nga Eurozona dhe kthimin tek përdorimi i Dhrahmisë.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se do që Greqia të vazhdojë të qëndrojë në Eurozonë:
E kam thënë disa herë dhe po e përsëris, se synimi ynë politik është që Greqia të qëndrojë në Eurozonë. Kemi vite që punojmë për këtë synim. Por medalja ka dy anë, nga njëra është solidariteti i partnerëve evropianë dhe nga tjetra gatishmëria për të zbatuar reforma dhe detyrime të tjera nga Greqia. Përsa i takon kësaj të fundit, është e qartë se kemi një rrugë të vështirë përpara.
Megjithëse Greqia ka siguruar një marrëveshje të përkohëshme katër mujore me BE-në dhe FMN-në, qeveria duhet të bindë huadhënësit se plani i reformave është i realizueshëm.