Shumica e grekëve duan qëndrimin në eurozonë
Athinë, 6 mars - Shumica dërmuese e grekëve duan një sektor më të vogël publik, më pak taksa dhe qëndrimin e vendit në eurozonë për të kapërcyer krizën shtatëvjeçare të borxhit.
Sipas rezultateve të një sondazhi të publikuar të dielën, 62.4 për qind e pjesëmarrësve në anketimin kombëtar të kryer nga Instituti Dianeosis me seli në Athinë, bënë thirrje për tkurrjen e sektorit publik.
57.3 për qind e të anketuarve besojnë se Bashkimi Europian ka fituar më shumë nga anëtarësimi i Greqisë dhe vetëm 29.6 për qind thanë se Greqia ka përfituar më shumë nga BE-ja.
Megjithatë, 59.6 për qind e grekëve dëshirojnë qëndrimin në zonën e monedhës së përbashkët, ndërsa 33.1 për qind kërkojnë kthimin e dhrahmisë.