Shuma prej 1.7 milion euro në buxhetin e veteranëve do të bëhet menjëherë
Prishtinë, 30 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të kryesuar nga nënkryetari Migjen Shala.
Në takim ku të pranishëm ishin edhe ministri i Financave, Agim Krasniqi dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi, u diskutua lidhur me vështirësitë ligjore për realizimin e pagesave të pensioneve të veteranëve luftëtarë për muajin gusht dhe muajt në vijim.
Kryeministri Mustafa i njoftoi përfaqësuesit e OVL të UÇK-së, se pengesat për pagimin e pensioneve ndërlidhen me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Buxhetin, të cilin duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës, ndërkaq janë evidente zvarritjet në konstituimin e Kuvendit.
“Sa u përket fondeve, ato do të sigurohen me rishikim të Buxhetit, dhe veteranët do të realizojnë plotësisht të drejtat e tyre në pensionet që u takojnë, të cilat do të paguhen në mënyrë retroaktive”, tha kryeministri Mustafa.
Gjatë takimit është dakorduar që shuma e mbetur prej 1.7 milion euro në buxhetin e kategorisë së veteranëve të shpërndahet proporcionalisht dhe pagesa sipas kësaj shpërndarje të bëhet menjëherë.
Gjithashtu kryeministri Mustafa, ka njoftuar përfaqësuesit e veteranëve se janë në përfundim procedurat për fillimin e punës së Komisionit për kategorizimin e veteranëve luftëtar dhe se puna e këtij Komisioni do të fillojë javën e ardhshme.
Shqetësimin për pagesën e pensionistëve për kategoritë e veteranëve e ka ngritur në mbledhjen e qeverise edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi. Sipas tij, për muajin gusht ka mungesë mbi 4 milionë euro, dhe kjo ka bërë që pa pensione të mbesin 33 mijë e 141 përfitues.
“Bazuar në numrin aktual të përfituesve të këtij pensioni, që është rreth 33.141, minusi në këtë kategori del deri në fund të vitit që është 27.2 milionë euro.
Ne si ministri, me kohë kemi paraqitur këtë mungesë të mjeteve në dokumentet e rishikimit të buxhetit, mirëpo për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë në gjendje të rishqyrtojë rishikimin e buxhetit, kjo çështje nuk ka mundur të gjejë zgjidhje. Me këtë rast kërkoj ndihmën tuaj që bashkërisht të gjejmë zgjidhjen për këtë problem” ka thënë ai.
Angazhim më të madh në këtë çështje kërkoi edhe kryeministri Mustafa.
“Ne kemi një takim sot me përfaqësuesit e Shoqatës së Veteranëve. Do të bisedojmë edhe me ta. Ata nuk janë fajtor për situatën që ne kemi ardhur, por është problem i rishikimit të buxhetit të gjitha mundësitë ligjore do t’i trajtojmë. Ajo që është e sigurt është që veteranëve nuk do t’ju humbin pensionet, por vetëm mund të shtyhet pagesa e këtyre pensioneve, mirëpo megjithatë edhe ne në emër të Qeverisë duhet të shprehim keqardhje për këtë që po ndodhë, sepse nuk është në rregull që individë dhe familje të cilëve ju takon të paguajnë koston e ngecjeve të konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.