18 Nëntor 2024

Shuhen 434 biznese

Albulena S. Mavraj


Prishtinë, 15 prill - Gjatë tremujorit të parë të këtij viti në Kosovë ka rënë numri i bizneseve të regjistruara, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu, krahasuar me vitin e kaluar, ka pasur rënie të bizneseve të huaja të regjistruara për këtë periudhë.

Ndërkaq numri i bizneseve të shuara është në rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Lulzim Demolli, këshilltar politik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka bërë me dije se gjatë periudhës janar-mars të këtij viti në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) janë regjistruar 2 925 biznese mirëpo, sipas tij, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i bizneseve të regjistruara në këtë periudhë ishte më i vogël, pasi në muajt janar-mars të 2013-s ishin të regjistruara 2 953 biznese.

Demolli ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se numri i bizneseve të shuara gjatë kësaj periudhe arrin shifrën e 434 bizneseve. Sipas tij, numri i bizneseve të shuara është më i madh sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “Numri i bizneseve të shuara gjatë tremujorit të parë të këtij viti është 434 biznese, ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin të shuara 410 biznese”, ka deklaruar Demolli.

Ndërkaq sa u përket bizneseve të huaja të regjistruara për këtë tremujor, Demolli ka bërë me dije se janë regjistruar 34 biznese të huaja mirëpo, sipas tij, ka rënie të bizneseve të huaja të regjistruara në këtë tremujor krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “Gjatë periudhës së tremujorit të parë të vitit të kaluar ishin të regjistruara 52 biznese të huaja”, ka treguar ai. Sipas tij, në mesin e shteteve që prinë për numrin e regjistrimit të bizneseve të huaja në Kosovë për këtë tremujor janë: Shqipëria, Maqedonia, Gjermania, Turqia. Serbia, Austria dhe Franca.

Ndërkaq kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se numri i bizneseve të regjistruara më pak për këtë periudhë tregon se investitorët në Kosovë nuk po e gjejnë veten.

“Numri i bizneseve që janë regjistruar për këtë periudhë tregon se klima biznesore në Kosovë po vështirësohet dhe investitorët në Kosovë nuk po e gjejnë veten për arsye të krizave të ndryshme të njëpasnjëshme dhe vetë ambientit biznesor në Kosovë”, ka deklaruar Shahini.

Ai ka thënë se ky është një sinjal i qartë për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Financave, atë të Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Bujqësisë që të ndërmarrin hapa konkretë drejt reformimit të politikave të krijimit të ambientit më miqësor për biznes dhe investime.

“Ne kemi një numër më të vogël të interesuar për të hapur biznese në Kosovë edhe nga investitorët e huaj, por kjo nuk do të thotë se deri në fund të vitit Kosovën do ta ndjekë një trend i tillë, sepse mund të ketë përmirësime”, ka thënë Shahini, duke shtuar se përderisa nuk ka përmirësime, gjendja është ashtu siç është në Kosovë.

Ai ka theksuar se duhet të bëhet një analizë se përse ka ardhur deri te rënia e interesimit të bizneseve të huaja për t’i hapur degët e veprimtarisë së tyre në Kosovë.

“Duhet analizuar nëse është klima e keqe në Kosovë apo vetë bizneset e huaja janë në krizë dhe po punojnë për të mbijetuar e jo për të investuar në tregjet e reja”, është shprehur Shahini.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)