19 Nëntor 2024

Shtohen problemet ekonomike në Ukrainë

Kievë, 4 shkurt - Ndërkohë që qytetet e Ukrainës janë mbërthyer nga protestat dhe nga kriza politike, ekonomia e vendit mbetet e ngrirë.

Javën e kaluar, një agjenci ndërkombëtare për vlerësimin e kreditit ka ulur vlerësimin e borxhit sovran të vendit.

Rusia, nga ana e saj ka njoftuar se do të shtyjë pagesat e tjera të kredisë për Ukrainën deri sa të formohet një qeveri e re. Kriza po i acaron më tej problemet ekonomike.

Në Sheshin e Pavarësisë shfaqen filma të vjetër lufte që ndezin te njerëzit shpirtin e revolucionit. Luftëtarët ukrainas të pavarësisë sulmojnë forcat ruse në Luftën e Dytë Botërore.

Protestuesit e krahasojnë këtë me përpjekjet e tanishme për të rrëzuar udhëheqësin e tyre të mbështetur nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara e kanë përkrahur lëvizjen e protestës; Sekretari i Shtetit John Kerry u shpreh se kjo lëvizje përfaqëson luftën e këtij ish-vendi sovjetik për \"një të ardhme demokratike, evropiane.\"

Pavarësisht trazirave, vendi mund ta përballojë stuhinë, argumenton Oleh Soskin, profesor i Akademisë Kombëtare të Menaxhimit.

\"Nuk mund të themi se kërcënimet politike dhe përplasjet civile po ndikojnë shumë mbi ekonominë. Nuk mund të themi se ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë në mes të këtyre gjërave - përplasjeve politike e civile dhe qëndrueshmërisë ekonomike.\"

Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar i Ukrainës ra 15 përqind nga viti 2008 deri në 2009, për shkak të rënies së kërkesës për çelik. Prodhimi mbetet nën nivelin e vitit 1989, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik.

FMN-ja e akuzon presidentin Janukoviç se ka dështuar në zbatimin e reformave ekonomike duke rritur shpenzimet buxhetore.

Deputetja e opozitës, Lesya Orobets, thotë se protesta në Sheshin e Pavarësisë i ka rrënjët te dështimi ekonomik.

\"Ne jemi në stanjacion prej vitesh. Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar është në rënie. Pagat tona nuk kanë lëvizur. Pra, prej vitesh kemi një regres ekonomik. Kjo është një nga arsyet pse protestuesit nuk largohen.\"

Një tjetër arsye është korrupsioni. Ukraina renditet e 144-ta nga 177 vendet në indeksin e organizatës Transparency International për perceptimin e korrupsionit, më ulët se çdo vend në Evropë.
 
Kjo është Ura Darnytsky pranë Kievit. Kur të përfundojë, kostoja e saj pritet të shkojë në 1,1 miliard dollarë.

Për gjatësinë e saj, kjo pritet të jetë ndër urat më të shtrenjta të ndërtuara ndonjëherë në botë. Kritikët thonë se ajo është një shenjë e korrupsionit të shfrenuar në shpenzimet e qeverisë që e mbajnë ekonominë prapa.

Qeveria i mohon akuzat. Por ryshfeti është i pranishëm kudo në jetën publike, thotë ekonomisti Oleh Soskin.

\"Korrupsioni lulëzon në Ukrainë. Kudo ku ka ndërtesa shtetërore, tendera shtetërorë, ka korrupsion; 50 ose 60 përqind e kostos së çdo gjëje shkon për korrupsionin\".

Me shtimin e problemeve ekonomike, Presidenti Janukoviç sheh një të ardhme më të mirë duke bashkëpunuar me aleatin e vjetër, Rusinë. Por protestuesit besojnë se Evropa do të sillte më shumë shkëmbime tregtare si dhe sundimin e ligjit. Janë dy vizione të ndryshme për të ardhmen. Dhe, ndërkohë që Ukraina përpëlitet në prag të konfliktit civil, ekonomia e saj mbetet e ngrirë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)