Shtohen huatë e këqija në Spanjë
Madrid, 18 gusht - Huatë e këqija të mbajtura nga bankat spanjolle po rriten duke shënuar nivelin më të lartë në muajin qershor.
Banka e Spanjës tha sot se bankat e vendit tani mbajnë më shumë se 200 miliardë dollarë hua të cilat kanë rrezik të mos paguhen.
Shifra është më shumë se 9 përqind e portofolit të përgjithshëm të huave, më e larta që kur banka filloi të mbante të dhënat 50 vjet më pare.
Shumë nga huatë e papaguara janë nga ndërtuesit dhe interesat e tjera të huave të pasurive të patundshme.
Qeveria spanjolle tha se do të kërkojë së shpejti këstin e pare të fondit të shpëtimit prej 123 miliard dollarësh të miratuar në qershor nga vendet e eurozonës..
Ekonomia e Spanjës është në recesion dhe niveli i papunësisë është gati 25 përqind, më i lartë në vendet e industrializuara.
Qeveria spanjolle ka vendosur masa për të shkurtuar deficitin, por shkurtimi i shpenzimeve ka penguar gjithashtu rritjen ekonomike.