Shtime: Shpenzimet komunale orientohen në qejfet e pushtetarëve
Prishtinë, 16 mars - Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shtime organizoi sot një aksion simbolik para objektit të Komunës, lidhur me Raportin Financiar të Komunës së Shtimes për vitin 2014.
Lidhur me këtë çështje, aktivisti Labinot Beqa tha se bazuar në shpenzimet marramendëse të zyrtarëve komunal gjatë vitit të kaluar, shihet qartë se buxheti i Komunës së Shtimes është i destinuar për lukset e pushtetarëve, në kurriz të taksapaguesve të varfër qytetit të Shtimes.
Kjo qeverisje komunale nuk e ka hallin e qytetarit, por hallin se në cilin restorant të hanë dreka dhe darka, ku ti blejnë veturat luksoze, ku ti blejnë mobilet e zyrave që aq shpesh i ndërrojnë. Janë ndarë vetëm 1,300,000 euro për investime kapitale, dhe kryesisht ato investime kanë shkuar tek asfaltimi i rrugëve të cilat janë asfaltuar në kohën e fushatës (2013), por janë paguar në vitin 2014.\"
\"Në planin strategjike të cilin e kishte paraqitur kjo qeverisje për vitin 2014 thuhet që territori i Komunës së Shtimes, mbi 48% është tokë bujqësore, dhe se bujqësia është prioriteti kryesor i zhvillimit ekonomik i cili mundëson hapje të vendeve të reja të punës. Por, çfarë ndodhë? Ndahen vetëm 18,000 euro për sektorin e bujqësisë, tha ndër të tjera Beqa.
Ai shtoi se qytetarët e Shtimes duhet ta dinë që kjo qeverisje: shpenzon mbi 1,350 euro në ditë;
i ka shuar shoqëritë kulturore dhe klubet sportive; nuk ka hapur të paktën një vend të ri të punës na ka bërë ndër komunat më të varfra në Kosovë; dhe se falë kësaj mënyre të qeverisjes, Kryetari i Komunës së Shtimes është njëri ndër kryetarët më të pasur në Kosovë.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shtime bashkë me qytetarët e kësaj komune do të kërkojë gjithmonë llogari për shpenzimet e parasë publike nga këta qeveritarë që janë më shumë biznesmenë sesa politikanë.