Shteti i së drejtës do ta bëjë Kosovën më atraktive për investitorët e huaj
Kjo u tha sot në një tryeze të diskutimit mes Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me përfaqësuesit e bizneseve të Odës Ekonomike Amerikane.
Arian Zeka tha se çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, funksionimin e gjykatave dhe zbatueshmërinë e kontratave, kanë zënë gjithmonë vend në mesin e çështjeve më prioritare me të cilat janë përballur investitorët e huaj dhe sektori privat në përgjithësi.
Ai potencoi se Oda Amerikane është mirënjohëse ndaj Ministres së re të Drejtësisë që e ka përfshirë në prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë themelimin e Gjykatës së Veçantë Komerciale, kërkesë kjo e ngritur nga Oda Amerikane që në vitin 2016.
Ministrja Haxhiu u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për të i çliruar bizneset nga çfarëdo barriera me të cilat mund të përballen, në mënyrë që ato të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Sipas saj, sistemi i drejtësisë në vend ka rol kyç në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, dhe ai do të fokusohet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si faktorë që shpesh herë kanë ndikuar në largimin e të njejtëve.
Haxhiu shtoi se pavarësisht kritikave, krijimi i gjykatës komerciale me kuadro profesionaliste dhe ekspertë, si dhe trajnimi adekuat i gjyqtarëve në këtë aspekt është prioritar dhe me rëndësi të veçantë për institucionin që ajo drejton.
Për më tepër, ajo theksoi se do të jetë gjithmonë në shërbim të kërkesave të drejta të bizneseve.
Ndërsa, bizneset e pranishme folën për problemet me të cilat ballafaqohen në raport me gjykatat, përfshirë vonesat në trajtimin e rasteve komerciale, por edhe procedurat e përmbarimit dhe noterizimit.