Shtëpi të reja për dy familje skamnore në Selac
Prishtinë, 23 tetor - Komuna e Mitrovicës dhe një grup mërgimtarësh që jetojnë në Norvegji kanë mundësuar ndërtimin e dy shtëpive të reja për dy vëllezër në Selac të Mitrovicës.
Dy vëllezërit, Behxhet e Nexhmedin Murseli, shprehën të lumtur për shtëpitë e reja dhe falënderojnë komunën si dhe bashkatdhetarët që u kanë ndihmuar.
Behxheti tha se me familjet e tyre kanë jetuar në kushte tepër të rënda. Kemi jetuar në shtëpi prej guri që ngjajnë me tepër në kasolle për kafshë. Nuk jemi në marrëdhënie pune dhe jetojmë vetëm me asistencë sociale.
Për të përuruar shtëpitë e reja, për ndërtimin e të cilave materialin e ka siguruar komuna, në Selac ka qëndruar edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga nënkryetari, Riza Haziri si dhe drejtori për Urbanizëm, Mehdi Bala. Kryetari Kastrati, ka shprehur kënaqësinë për jetën e re që do të nis për këto familje.
Ai tha se në Mitrovicë strehimi mbetet sfida më e madhe për shkak të gjendjes politike në veri.
Situata e pasluftës ka bërë që shumë familje të zhvendosen nga shtëpitë e tyre. Në anën tjetër kemi shumë tjerë që janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe nuk e kanë të zgjedhur çështjen e strehimit.
Kryetari Kastrati, theksoi se komuna nuk ka mundësi që e vetme të bëj zgjidhje andaj mbështetja e donatorëve është e domosdoshme.
Ai falënderoi mërgimtarët që kanë ndihmuar për ndërtimin e këtyre dy shtëpive duke paguar kompaninë që e ka kryer punën.
Ndërsa, Islam Murati, një prej mërgimtarëve që i ka prirë aksionit për ti ndihmuar këto familje, tha se janë të kënaqur që kanë mundur të ndihmojnë sado pak.
Ne jemi përcaktuar për ti ndihmuar këto familje, të cilat kemi vërejtur se kanë jetuar në kushte tepër të rënda.