Shqyrtohet Raporti i Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike
Prishtinë, 22 qershor - Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga z. Faton Topalli, kryetar i komisionit, shqyrtoi raportin vjetor për funksionimin e sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike të Republikës së Kosovës për vitin 2015. Në takim ishte i ftuar z. Kosum Aliu drejtor në NJQH, i cili edhe e prezantoi raportin.
Në vazhdim, anëtarët e komisionit shtruan pyetje të ndryshme rreth mangësive të evidentuara në raport. U konstatua se ende ka disa organizata buxhetore (OB) të cilat ose nuk kanë raportuar në NjQHAB, lidhur me planin dhe raportin vjetor të tyre, gjithashtu ka OB të cilat nuk e kanë të themeluar njësinë e auditimit të brendshëm apo komitetet e auditimit të brendshëm. Pas një diskutimi përmbajtjesor, komisioni nxori rekomandime për Njësinë Qendrore Harmonizuese dhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, lidhur me organizatat buxhetore, të cilat do ti dërgohen seancës plenare për miratim.
Tutje, komisioni shqyrtoi raportin vjetor dhe buxhetin e komisionit, dhe vendosi që në takimin e ardhshëm të diskutohet më detajisht.
Në të ndryshme, komisioni vendosi se cilat raporte të auditorit do të diskutohen në takimin e ardhshëm.