08 Nëntor 2024

Shqyrtohet raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të Komunave

Prishtinë, 22 mars - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Faton Topalli, u shqyrtua raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të komunave, për vitin 2015.

Në fillim të takimit, kryetari i komisionit sqaroi se përzgjedhja e komunave për t’u audituar është bërë me vendim të komisionit, duke ftuar ato komuna që përfaqësojnë rajonet, si dhe një komunë që udhëhiqet nga komuniteti serb. Po ashtu, përzgjedhja e tyre nuk është bërë në bazë të opinionit të auditorit të përgjithshëm.

Komisioni, bashkërisht me Zyrën Kombëtare të Auditimit, mbështetur nga GIZ-i, duke u bazuar në raportet e auditimit, ka nxjerrë disa pika të dobëta në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrollit, siç janë: prokurimi, menaxhimi i pasurisë dhe subvencionet.

Anëtarët e Komisionit theksuan faktin se shpenzimet për investime kapitale të realizuara përmes prokurimit në vitin 2015, ishin në vlerë prej 57.9 milionë euro dhe bazuar në raportet e auditimit del se ka pasur inicim të procedurave të prokurimit pa zotim të mjeteve. Në vijim u përmendën edhe vonesa në implementimin e projekteve, vonesa në pagesa, pagesa përmes përmbaruesve privatë apo thesarit, bashkëfinancim të projekteve të financuara nga donatorët pa ndonjë mbikëqyrje nga stafi i komunave etj.

Kryetari i Komisionit, Faton Topalli, tha me këtë rast se ka pasur përdorim të keq të parasë publike.

Fushat në të cilat është përqëndruar Komisioni është fusha e regjistrimit të pasurisë së komunave dhe në atë të subvencioneve.

Edhe anëtarët e Komisionit: Ali Sadriu, Hajdar Beqa e Synavere Rysha, duke përmendur në detaje mangësitë që janë evidentuar në këtë raport, gjatë diskutimit të tyre theksuan faktin se gjatë analizimit të të gjeturave nga auditori janë vërejtur një numër i konsiderueshëm i parregullsive me të gjetura të njëjta, nga viti në vit.

Në këtë takim të ftuar ishin kryetarë të tetë komunave të Kosovës, ndërkaq të pranishëm ishin: Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, Mimoza Kusari-Lila, kryetare e komunës së Gjakovës, Agim Bahtiri, kryetar i komunës së Mitrovicës, Vlladeta Kostiq,kryetar i komunës së Graqanicës, Gazmend Muhaxhiri, kryetar i Komunës së Pejës dhe Muharrem Svarqa, kryetar i komunës së Ferizajt. Ata dhanë sqarime të nevojshme lidhur me të gjeturat nga auditori, duke prezantuar kështu problemet e përbashkëta që i kanë komunat dhe arsyet e këtyre problemeve.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, gjatë diskutimit të tij tha se tashmë kanë publikuar pasqyrat vjetore financiare për vitin 2015 dhe se janë në prag të publikimit të pasqyrave financiare për vitin 2016. Ai sqaroi se që nga java e ardhshme do të publikohen raportet e para të komunave.

Auditori i Përgjithshëm vlerësoi se janë tri çështje kryesore që kanë të bëjnë me sektorin e qeverisjes lokale: fusha e prokurimit publik, menaxhimi i pasurive financiare dhe prezantimi i tyre në pasqyrat financiare, si dhe çështjet që lidhen me pagesat e palëve të treta. Sipas tij, këto tri çështje janë kodi i suksesit apo mos suksesit në menaxhimin e përgjithshëm financiar dhe të kontrollit në qeverisjen lokale, duke përmendur edhe disa nga mangësitë e tjera.

Edhe Qerkin Bytyqi, nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, prezantoi mangësitë kryesore që janë vërejtur nga auditori.

Ai tha se janë duke bërë analizë për komunat që kanë shpenzuar 243 milionë euro. Nga këto në fushën e prokurimit për investime kapitale janë shpenzuar 58 milionë dhe pjesëmarrja në investime kapitale në strukturën e përgjithshme të buxhetit ka qenë 27 për qind, ndërkaq pjesëmarrja e të hyrave vetanake në financimin e projekteve kapitale ishte mbi 36 milionë apo mbi 55 për qind. Përkitazi me këtë, Bytyqi tha se kjo është një indikator mjaft i mirë sepse komunat të hyrat vetanake i kanë orientuar kryesisht për investim në shpenzime kapitale.

Duke përmendur mangësitë kryesore që janë vërejtur në fushën e prokurimit, ai u fokusua në problemet më të theksuara në këtë fushë, duke vlerësuar se ka pasur mangësi të çështjeve procedurale dhe se në këtë fushë është aspekti i mbikëqyrjes së kontratave.

Si një çështje problematike ai përmendi fushën në menaxhimin e pasurisë, gjë që sipas tij asnjë komune nuk ka arritur që t’i regjistrojë të gjitha pasuritë, për shkak të mungesës së dokumentacioneve apo për shkak të problemeve të pronësisë.

Zv/ministri i Financave, Agim Krasniqi, gjatë diskutimit të tij theksoi se ky raport është një raport që në mënyrë të detajizuar tregon të gjitha problemet që ekzistojnë. Sipas tij, ky raport, përkundër problemeve që ka, tregon se ka një perfomancë më të mirë krahasuar me vitin paraprak.  Zv/ministri Krasniqi tha se tashmë kanë filluar t’i zgjidhin problemet një nga një dhe se kanë intervenuar në Ligjin e Prokurimit Publik.

“Kur e kemi bërë decentralizimin e shpenzimeve, është rritur përgjegjësia e komunave në shpenzimet buxhetore dhe bashkërisht me komunat jemi duke bërë përgatitjen e Planit të Veprimit”, theksoi Krasniqi, duke shtuar në vijim se nuk ka keqmenaxhim, por ka keqklasifikim.

Ai shtoi se do të adresohen të gjitha çështjet që janë përmendur në këtë raport, si dhe do të intervenohet në legjislacion dhe rregullore, që ka të bëjë me ciklin buxhetor. Krejtësisht në fund, ai shfaqi besimin se në procesin e ardhshëm buxhetor do të jenë shumë më mirë.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se sa i përket e- pasurisë dhe çështjeve tjera, kjo ministri ofron mundësi që të bëhet një menaxhim më i mirë, në mënyrë elektronike.

“Kemi krijuar mundësinë që të bëhet një platformë elektronike dhe se e pasuria është një ndihmë e madhe për të gjitha institucionet e Kosovës”, vlerësoi Yagcilar.

Pas shqyrtimit të këtij raporti, Komisioni u dakordua që të diskutojë sërish në mbledhjen e radhës këtë çështje, për të nxjerrë rekomandimet konkrete, në mënyrë që të eliminohen problemet të cilat janë hasur në këto komuna.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)