Shqyrtohet në parim Projektligji për Akreditim
Prishtinë, 27 shtaror - Shqyrtimi në parim i Projektligjit për Akreditim, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.
Këtë Projektligj, para komisionit e paraqiti Avni Kastrati, zv. ministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), i cili vuri në spikamë rëndësinë e miratimit të këtij Projektligji. \"Projektligji për Akreditim përcakton parimet e akreditimit dhe rregullat për akreditimin e trupave të vlerësimit të konformitetit. Po ashtu, Projektligji fuqizon Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit të Kosovës\", tha Kastrati.
Ai tutje shtoi se ky Projektligj është bazuar në praktikat më të mira të legjislativit të BE-së dhe do të krijojë mundësi për zgjerimin e aktiviteteve në fusha të reja të akreditimit, bazuar në nevojat e palëve të interesit, duke përfshirë edhe akreditimin e laboratorëve medicinal.
Anëtarët e komisionit vlerësuan se projektligji është i nevojshëm dhe adekuat për rregullimin e fushës së paraparë, andaj edhe e përkrahën në parim.
Lidhur me këtë, komisioni formoi edhe grupin punues për amendamentimin e tij, i cili do të kryesohet nga deputeti, Enver Hoti.
Në këtë mbledhje, komisioni zhvilloi debat edhe për vendimin e Qeverisë lidhur me propozimin e saj për anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës. Lidhur me këtë, komisioni nuk mori vendim, ndërkaq, debati lidhur me këtë do të vijojë edhe në mbledhjen e radhës.