17 Nëntor 2024

Shqyrtohen rekomandime për zbatimin e Ligjit për investimet e huaja

Prishtinë, 1 prill - Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit,  shqyrtoi raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për investimet e huaja.

Në mbledhje ishte e pranishme edhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ndërsa raportin, si dhe rekomandimet i paraqiti deputeti  Besim Beqaj, kryesues i grupit punues për mbikëqyrjen e këtij Ligji. Ai njoftoi se gjatë procesit të mbikëqyrjes së këtij projektligji kanë vizituar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), odat ekonomike vendore dhe të huaja, si dhe ministritë dhe institucionet e tjera relevante, në domenin e të cilave bie zbatimi i Ligjit për investimet e huaja. 

Në vijim, Beqaj foli për të gjeturat, si dhe barrierat në të cilat hasin investitorët. Ai tha se Ligji për investime të huaja nuk ka hasur në pengesa  që do të pamundësonin  zbatimin e tij, ndërsa vlerësoi se duhet riorganizuar Agjencioni për Promovimin e Investimeve të Huaja (KIESA). Po ashtu, Beqaj vlerësoi se  ky agjencion  duhet të kalojë pranë Zyrës së kryeministrit.

Duke folur për këtë raport, ministrja Bajrami, vlerësoi se zbatimi i këtij ligji varet edhe nga disa ministri të tjera, siç është ajo e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e  Drejtësisë. Po ashtu, ajo njoftoi edhe për hapat që është duke  marrë ministria për rritjen e investime të jashtme, ndërsa paralajmëroi funksionalizimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Pas debatit lidhur me këtë, anëtarët e  komisionit vlerësuan se raporti, si dhe rekomandimet e paraqitura duhet rishikuar. Po ashtu, ata kërkuan që në raport të përfshihen edhe rekomandimet e dala nga debati i sotëm.

Në këtë mbledhje, komisioni diskutoi edhe për nismën  legjislative për hartimin e Projektligjit për sigurinë në punë në miniera.

Lidhur me këtë foli deputetja, Sala Berisha- Shala, inicuese e kësaj nisme legjislative, e cila njoftoi se janë përmbushur procedurat për draftimin e projektligjit.  Anëtarët e komisionit, ndërkaq,  u shprehën se do të përkrahin këtë nismë duke  bashkëpunuar ngushtë me grupin punues gjatë procesit të amendamentimit të projektligjit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)