Shqyrtohen dhe u përkrahen një mori projektligjesh
Prishtinë, 10 maj - Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi kryetari i komisionit, Naser Osmani, shqyrtoi një varg projektligjesh, si dhe Raportin financiar vjetor të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2015.
Fillimisht është shqyrtuar dhe përkrahur në parim Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Pas kësaj, Komisioni shqyrtoi Raportin financiar vjetor të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2015, të cilin para Komisionit e paraqiti zv. ministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi.
Duke iu referuar të dhënave statistikore të Ministrisë së Financave lidhur me të hyrat dhe shpenzimet në nivel vendi për vitin e kaluar, zv. ministri Krasniqi, me këtë rast tha: Plani vjetor i pranimit të të hyrave për vitin 2015 ka qenë, 1 miliardë e 700 milionë e 50 681 mijë euro, ndërkaq, plani vjetor i pagesave ka qenë 1miliardë e 722 milionë e 138 mijë euro. Të hyrat e realizuara në vitin 2015, tha më tej ai, janë 1 miliardë e 690 milionë e 349 mijë euro, duke mos përfshirë këtu grandet e përcaktuara të donatorëve dhe të Fondit të Mirëbesimit. Kjo gjendje e buxhetit për vitin fiskal të vitit të kaluar, paraqet realizimin e 97 % të projekteve të planifikuara të Ministrisë, sqaroi ai.
Lidhur me të hyrat, ai më pas tha se doganat e Kosovës, në vitin e kaluar kanë realizuar 9.3 % të hyra më shumë se gjatë vitit paraprak. Po ashtu, vijoi ai, shtim të të hyrave është shënuar edhe në Administratën Tatimore të Kosovës dhe në të hyrat e taksës kufitare, ndërkaq, kanë shënuar rënie të të hyrave disa nga komunat.
Rritja e të hyrave, sqaroi më pas Krasniqi, ka qenë e ndikuar nga efekti i ndryshimit në normën e akcizës të disa produkteve që i nënshtrohen kësaj takse, si dhe implementimi i pakos së re fiskale.
Ai në vijim sqaroi edhe për çështje të tjera me interes për komisionin, ndërkaq, u është përgjigjur edhe pyetjeve që u shtruan me këtë rast.
Më pas, komisioni e përkrahu këtë Raport, i cili do të procedohet tutje për shqyrtim edhe në mbledhje plenare.
U shqyrtua dhe u përkrah më pas Projektligji për investimet strategjike në Republikën e Kosovës, ndërkaq, në vijim u shqyrtuan edhe një pako projektligjesh nga fusha e energjisë, siç janë: Projektligji për Rregullatorin e Energjisë, Projektligji për Energjinë, Projektligji për Energjinë Elektrike dhe Projektligji për Gazin Natyror.
Po ashtu, komisioni përkrahu edhe Projektligjin për Falimentimin, ndërkaq, ka shtyrë për një nga mbledhjet e radhës shqyrtimin e Kërkesës së Zëvendës Auditorit të Përgjithshëm për caktimin e pagës për Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.