Shqipëria vazhdon ta përkrah Kosovën në zhvillimin ekonomik
Prishtinë 8 shtator - Ministri i Financave, Bedri Hamza, priti sot Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, me të cilin biseduan për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Ministri Hamza, falënderoi Ambasadorin Shqiptar për vizitën dhe bashkëpunimin, me këtë rast ai shprehi falënderimet për shtetin shqiptar për kontributin jetik dhe përkrahjen e vazhdueshme që shteti shqiptarë i ka dhënë Republikës së Kosovës, sidomos mbështetjen e vazhdueshme politike dhe diplomatike.
Gjatë takimit ministri Hamza e njoftoi ambasadorin për objektivat e Ministrisë, në lidhje me buxhetin e shtetit, trendët pozitivë të rritjes së të hyrave si dhe zhvillimet tregtare ndërmjet dy vendeve të cilat kanë shënuar një rritje të kënaqshme .
Ndërsa, ambasadori shqiptar, Islam Lauka falënderoi ministrin Hamza për pritjen vëllazërore, si dhe shprehi gatishmërinë e Republikës së Shqipërisë për ta përkrahur integrimin dhe zhvillimin ekonomik e politik të Kosovës jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.