Shqipëria uli me 0,25 për qind normën bazë të interesit bankar
Tiranë, 28 nëntor - Banka Qendrore e Shqipërisë uli sot edhe me 0,25 për qind të tjera normën bazë të interesit bankar në përpjekje për të nxitur kreditimin më të madh të ekonomisë dhe për të kthyer konsumin në ritmet e mëparshme.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se me këtë ulje të re, norma bazë e interesit zbriti në 3,25 për qind, dhe se kjo masë u mor që edhe bankat e tjera të ulin interesat e kreditimit ndaj qytetarëve dhe bizneseve, në mënyrë që të nxitet ekonomia në tërësi.
Zoti Fullani deklaroi në konferencë për shtypin se ekonomia po zhvillohet nën kapacitetin e saj, inflacioni është i ulët dhe rritja ekonomike akoma më e ulët. Sipas tij, ekonomia po kalon një periudhë të vështirë pasigurie dhe likujditetesh.
Banka Qendore vlerësoi se ekonomia ka nevojë për nxitje të reja nga politikat fiskale të qeverisë, në mënyrë që të rifitojë gjallërinë, sepse konsumi dhe investimet vendase e të huaja janë të ulta dhe të frikësuara nga një klimë hezitimi dhe frenimi në plan afatshkurtër.