Shqipëria me rritje ekonomike prej 1.7%
Tiranë, 6 korrik - Instituti i Statistikave raportoi se në tremujorin e parë Prodhimi Kombëtar u rrit sërish me shifrën minimale 1.7 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shifrat tregojnë se edhe kjo rritje minimale është favorizuar fort nga fakti se në tremujorin e parë të 2012-ës, rritja ishte negative çka ka ulur bazën e krahasimit.
Sipas sektorëve, INSTAT thotë se për këtë tremujor, rritja ekonomike është udhëhequr nga ecuria e mirë e prodhimit industrial me 14.8 për qind dhe post telekomunikacionit me 15.4 për qind. Ecuri poztive ka patur edhe bujqësia me shërbimet, ndonëse me ritme më të ulëta përkatësisht 2.1 dhe 1.3 për qind.
Ndërsa tre degët e tjera të ekonomisë kanë vijuar të tkurren. Sipas INSTAT ndërtimi ra me 4.8 për qind, tregtia me 2.1 për qind dhe transporti me 2.9 për qind. Të dhënat paraprake sinjalizojnë se edhe ky vit do të jetë i vështirë për ekonominë, e mbërthyer në ritmet më të ngadalta historike.
Partneri më i madh ekonomik i vendit, Eurozona mbetet e ndrydhur në një recesion të pafund, ku edhe për tremujorin e parë të këtij viti prodhimi u tkurr me 0.2 për qind.
Por veç presionit negativ që vjen nga vendet fqinje, këtë vit ekonomia po përballet edhe me probleme të brendshme. Vendi tashmë është zyrtarisht në krizë kredie dhe vec kësaj rritja ekonomike pritet të frenohet edhe nga kontributi negativ i sektorit publik, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit, kur Qeverisë do i duhet të ndalë çdo shpenzim për të vënë nën kontroll financat e shthurura.