Shqipëria me paketë të re fiskale për rimëkëmbjen ekonomike
Tiranë, 11 dhjetor - Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se vendi do të nisë aplikimin e një pakete të re fiskale, përmes së cilës qeveria synon të rimëkëmbë ekonominë.
\"Kemi rënë dakord për një ulje graduale të defiçitit, në mënyrë që të lejojë edhe rritjen e ekonomisë dhe zhvillimin në të gjitha aspektet,\" tha Rama në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Ekonomik.
Ai tha se për këtë draft është diskutuar edhe me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe parnerët ndërkombëtarë.
Kreu i qeverisë tha se vendi do të zbatojë një sistem të drejtë taksash, kush fiton më pak do të paguajë më pak dhe kush fiton më shumë do të paguajë më shumë. Nga taksa progresive pritet të përfitojnë 95 për qind e shqiptarëve, tha ai.
Rama shtoi gjithashtu se do të ketë lehtësira edhe për biznesin e vogël, i cili do të çlirohet nga taksa vendore dhe do të ketë një tatim më të ulët fitimi.