Shqipëria me 5 mijë lekëshi të ri
Tiranë, 8 korrik - Banka e Shqipërisë nëpërmjet një njoftimi për shtyp ka bërë me dije se që prej ditës së nesërme, pra që nga data 9 korrik, do të hidhen në qarkullim kartëmonedhat shqiptare me vlerë nominale 5000 lekë, emetim i vitit 2013.
Kartëmonedha e re me vlerë nominale 5000 lekë, emetim i vitit 2013, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën me vlerë nominale 5000 lekë, emetim i vitit 2007, e cila është hedhur në qarkullim në vitin 2009.
Banka gjithashtu ka theksuar se duke nisur që prej ditës së nesërme, kartëmonedhat me vlerë nominale 5000 Lekë, emetim i vitit 2013, do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, të emisioneve të mëparshme.