17 Nëntor 2024

Shqipëria luan me bukën e gojës

Prishtinë, 23 tetor -  Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë, nëpërmjet një urdhri ka ndaluar importin e miellit me nivel më të ulët proteinash se 12. 5 për qind, duke çuar kështu në bllokimin e eksporteve të miellit, kryesisht nga Kosova.


Ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti, ka mohuar që ndryshimi i urdhrit të ketë lidhje vetëm me Kosovë. “Është krijuar një mit sikur kjo bëhet për shkak të një lufte tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që është absolutisht e pavërtetë”, ka thënë ai. 


Panariti ka deklaruar se mielli nga Kosova mund të hyjë në tregun e Shqipërisë, por, sipas tij, nuk mund të përdorët për bukë, pasi përmban vetëm 9 për qind proteina.

“Mielli me nivel proteinash më të ulët se 12. 5 për qind do të lejohet në treg, por jo për prodhim buke. Nuk ka asnjë lloj tërheqjeje pozicioni nga ana ime. Standardi i bukës do të jetë ai që kam deklaruar, por siç thashë mielli ka shumë destinacione përdorimi dhe ne nuk kemi asnjë të drejtë të krijojmë situata monopoli dhe ta ndalojmë miellin që përdoret, jo për destinacion buke, por që mund të përdoret për baza picash apo për produkte të tjera brumi, të cilat kërkojnë nivel të ulët proteinash, ndryshe nuk përgatiten.

Pra ne do të lejojmë që mielli me zero, apo me përqindje të ulët proteinash prej 9 përqindësh të qarkullojë, por të mos përdoret për prodhim buke”, është shprehur ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, në një konferencë për medie.
 
Rusinovci: Prodhimi vendor i plotëson kushtet, por jo tregtia
 
Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Ymer Rusinovci, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se çështja e ndalesës së eksportit të miellit nga Kosova për në Shqipëri, ka të bëjë me tregtimin e miellit që vjen nga importi në Kosovë, e, jo me prodhimin vendor.

Sipas tij, prodhimi vendor i grurit i plotëson të gjitha standardët e parapara me ligj. “Kosova nuk ka prodhimtari të nevojshme për tregun vetjak e lerë më për të eksportuar. Konsideroj se çështja e ndalesë se miellit është si rrjedhoje, jo e prodhimit vendor, por e tregtimit të grurit nga vendet e rajonit.

Kosova nuk ka miell për nevoja vetjake dhe përderisa blenë miell të pakontrolluar nga vendet e rajonit dhe nga rezervat shtetërore të tre apo katër viteve paraprake, atëherë normalisht që i njëjti grurë nuk mundë t’i plotësojë standardet dhe pa mëdyshje që nuk e ka nivelin e proteinave të parapara”, është shprehur profesori Rusinovci.

Ai ka bërë me dije se këtë vit çdo rendimet vendor është në përputhje të kuadrit të proteinave. “Problemin nuk e shoh te prodhimi vendor, por te tregtarët, të cilët tregtojnë grurë nga rezervat e tre apo katër viteve nga Vojvodina dhe Serbia”, ka deklaruar ai.

Profesor Rusinovci e ka vlerësuar të dëmshëm për shëndet miellin që përmban 9 për qind proteina.

“Mielli normalisht që është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Gruri duhet të tregtohen në kuadër të standardeve që kërkon bashkësia ndërkombëtare, me përmbajte 13.6 për qind proteina. Çdo nën nivel i këtij standardi, nuk përfiton cilësi të parë për fabrikimin dhe përpunimin e bukës”, ka theksuar Rusinovci.

Ai ka thënë se nuk ka ekspert, i cili rekomandon grurin me përmbajte prej 9 përqindësh proteina për përfitimin e bukës cilësore.
“Gruri që prodhohet në Kosovë i plotëson standardët në bazë të ligjit për nivel të proteinave dhe për nivel të peshës absolute. Gruri i këtij viti që është prodhuar në Kosovë është në përputhshmëri me standardët që kërkohen. Problemi është se Kosova, nuk ka prodhim të mjaftueshëm vendor, prandaj importon grurë apo miell”, është shprehur ai.
 
Tahiri: Në Shqipëri u krijua situatë për keqardhje
 
Kryetari i Shoqatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri ka shprehur kritika ndaj shtetit shqiptar për ndalimin e përdorimit të miellit për bukë me nivel proteinash prej 9 përqindësh.

“Jemi të indinjuar nga kjo situatë dhe nuk është e vërtetë që mielli i Kosovës nuk ka cilësi. Ndërmarrjet që merren me eksport kanë miell vërtetë cilësorë. Për prodhimet tona janë të interesuara edhe shtete nga Bashkësia Evropiane, ndërsa në Shqipëri e kanë bllokuar tregun e vet dhe produktet tjera i marrin nga Egjipti, Greqia. Unë e di që në Shqipëri mielli i Kosovës është i kërkuar, andaj kjo është sjellje absurde edhe për popullatën atje se çfarë zgjedhjesh u bëjnë, pasi i ofrojnë produkte më të dobëta sesa produktet tona nga Kosova, vetëm e vetëm që mos të jemi konkurrentë”, ka thënë Tahiri.

Ai i ka quajtur të pavërteta deklaratat se mielli i Kosovës përmban 9 për qind proteina. “Unë s’u besoj deklarimeve të tilla, sepse nuk është hera e parë që ata po bëjnë lojëra të tilla. Njëjtë e kishim rastin me patate dhe produktet e tjera”, është shprehur Tahiri.

Ai e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosreciprocitet. “Qeveria e Kosovës i ka fajet, pasi nuk merr masa reciprociteti për produktet, që vijnë nga Shqipëria. Është absurde që dy shtete shqiptare të sillen në këtë mënyrë”, ka thënë ai.
 
Ferizi: Mielli i Kosovës është i nivelit të lartë
 
Edhe Muhamet Ferizi nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës, i ka demantuar deklaratat se mielli i Kosovës përmban 9 për qind proteina.

“Mielli i Kosovës është i nivelit të lartë, ndërsa mielli i Shqipërisë e ka proteinën nën 12. 5. Kjo bllokadë është bërë vetëm për ta ndaluar miellin nga Kosova. Mielli ynë i përmbushë nevojat dhe ai vendim është marrë vetëm e vetëm që të mbyllet tregu për miellin e Kosovës, pasi është në nivel më të lartë se ai i Shqipërisë. Mielli e Kosovës është më i kërkuari nga konsumatorët në Shqipëri, prandaj i kanë vënë këto barriera”, është shprehur ai. (Albulena S. MAVRAJ)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)