Shqipëria ka 55 multi-milionerë që vlejnë 7 miliardë dollarë
Tiranë, 26 shtator - Efektet e krizës financiare, mesa duket nuk i kanë penguar milionerët shqiptarë të gëzojnë statusin e të qenit ultra të pasur, siç ka ndodhur në vende të tjera të Europës.
Sipas raportit të përvitshëm të kompanisë, Wealth X, në vendin tonë ka gjithsej 55 multi-milionerë, të cilët zotërojnë në total një pasuri prej 7 miliardë dollarësh.
Raporti me titull World Ultra Wealth Report, e rendit Shqipërinë në vendin e 37-të në Europë, për sa i përket numrit të multi-milionerëve, duke lënë pas vende si Sllovakia, Qiproja, Bullgaria, Estonia, Maqedonia apo Mali i Zi.
Ndërkohë, numrin më të madh të multi-milionerëve në Europë e ka Gjermania, e cila renditet në vendin e parë në raport me 15 770 multi-milionerë.